Mesi i korrikut, ulje e rasteve të reja dhe rritje e viktimave nga Kovid-19 në RMV

Në raportin javor të Institutit të Shëndetit Publik, për periudhën kohore prej 13 – 19 korrik është vërejtur ulje e numrit të të infektuarve të rinj dhe rritje e viktimave nga Kovid-19 në Maqedoninë e Veriut.

Siç njofton Ministria e Shëndetësisë, gjatë kësaj periudhe janë realizuar 8161 testime ndërkaq janë regjistruar 1038 raste pozitive me Kovid-19, që është për 35 raste më pak nga java paraprake (6 – 12 korrik).

Rastet e reja të të infektuarve janë regjistruar në Shkup – 39.9 përqind dhe në Shtip – 14.4 përqind.

Në po të njëjtën periudhë kohore, në qytetet tjera numri i rasteve të reja është nën 20.

“Gjatë kësaj periudhe është vërejtur ndryshim të strukturës së moshës së të infektuarve të rinj në raport me javën paraprake, ku përqindja më e madhe e të infektuarve janë të moshës 40 – 49-vjeçare me 21.1%, mbi 60-vjeçare me 20.6%, të moshës 30-39 vjeçare me 20.4% dhe të moshës 50-59% me 19.7%”, njoftuan nga Ministria e Shëndetësisë.

Ulje e numrit të të infektuarve është vërejtur te moshat më të reja, si:
0-9 vjeç me 2.2%
10-19 vjeç me 3.5%.

Është vërejtur ulje e numri të të shëruarve, për çfarë janë shëruar 545 persona, ku i bie 472 të shëruar më pak se sa java para saj.

Derisa kemi ulje e numrit të të shëruarve, kemi pasur rritje të numrit të viktimave. Gjatë kësaj periudhe kemi pasur 44 viktima, që është për 8 më shumë se sa periudha para saj.

Ulje ka shënuar dhe numri i personave të hospitalizuar. Në spitale janë shtrirë 88 të infektuar që është 2% më pak se sa numri i një jave më parë.

Në spitale, më 19 korrik ka pasur 392 të hospitalizuar pozitiv me Kovid-19./TV21