Merkel: Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi

Kancelarja gjermane, Angela Merkel kërkoi që Evropa të marrë përgjegjësi më të madhe në botë dhe shprehu keqardhje për marrëdhëniet me SHBA-në dhe për dallimet, veçanërisht për çështjet mjedisore.

“Ne duhet të bëjmë përpjekje të jashtëzakonshme për t’u ballafaquar me sfidën e jashtëzakonshme (koronavirusin e ri), por dua që Bashkimi Evropian veçanërisht në kohë krize, të tregojë edhe më shumë solidaritet botëror dhe të marrë më shumë përgjegjësi,” tha Merkel në fjalimin e mbrëmshëm para Fondacionit Konard Adenauer.

Gjermania me 1 korrik e mori përsipër presidencën e BE-së ndërsa Merkel, e cila paralajmëroi largim nga funksioni në vitin 2021, para Fondacionit i prezantoi udhëzimet kryesore të BE-së deri në fund të vitit, për krizën shëndetësore, ekonomike dhe sociale.

“Pandemia do të çojë në intensifikimin e konflikteve dhe problemeve ekzistuese në shumë vende, që është një sfidë për aftësinë e BE-së, për veprimet në çështjet e politikës së jashtme dhe të brendshme. Kjo është një arsye më shumë për t’i mbrojtur vlerat e BE-së – solidaritetin, demokracinë, lirinë, mbrojtjen e dinjitetit të çdo qenieje njerëzore”, theksoi Merkel, duke shtuar se Evropa mund të dalë më e fortë nga kriza.

Merkel gjithashtu theksoi se partneri më i rëndësishëm i Evropës është SHBA-ja por që ky partneritet është ndryshe nga ajo që dëshiron BE-ja, veçanërisht për çështjet mjedisore.