Në organizim të Ambasadës së parë të fëmijëve në botë – Megjashi, sot do të promovohet hulumtimi në temën “Dhuna në shkolla dhe marrëdhëniet ndëretnike”.
Hulumtimi, i kryer nga ana e Agjencisë për hulumtim të mendimit publik dhe marketing “BRIMA”, është bërë në nëntë shkolla të mesme nga Shkupi, Velesi, VInica, Dibra dhe Gostivari në periudhën nëntor-dhjetor të vitit 2019.
“Me rëndësi për ne ishte ta marrim mendimin e kuadrit mësimdhënës dhe nxënësve dhe mu prandaj e bëmë këtë hulumtim. Përmes tij dëshirojmë t’i nxisim të gjitha shkollat, mësimdhënësit/et, prindërit, nismat, individët … të na bashkëngjiten në ndërtimin e një shoqërie më të mirë dhe lufte të përbashkët për shkolla pa dhunë”, thonë nga “Megjashi”.
Në promovimin e hulumtimit, informojnë organizuesit, do të flasin profesorë dhe bashkëpunëtorë të kyçur në Programin për arsim paqësor të Ambasadës së parë të fëmijëve në botë, Megjashi.