McDonald’s ndërpret funksionimin në Britani dhe Irlandë

Zinxhiri amerikan i ushqimit të shpejtë McDonald’s njoftoi të dielën vonë mbylljen e të gjitha restoranteve të tij në Britani dhe Irlandë nga e hëna në mbrëmje, si pjesë e masave për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të koronavirusit të ri (COVID-19).

Kompania tha se mori vendimin për të mbyllur pikat e saj pas orës 19:00 sipas kohës lokale për “sigurinë” e punonjësve të saj dhe “interesin më të mirë” të klientëve.

“Përpara mbylljes, të gjithë punonjësit e shëndetit të vijës së parë dhe personeli i shërbimeve të urgjencës do të marrin ushqim dhe pije falas në vend me kartë identiteti”, thuhet në deklaratë.

Departamenti i Shëndetësisë në Britani të dielën njoftoi se 281 persona kanë vdekur nga koronavirusi, me një rritje prej 48 njerëzve brenda 24 orësh. Numri i përgjithshëm i rasteve pozitive tani ka arritur në 5.683 në vend.

Aktualisht janë 1.034 raste të COVID-19 në ishullin e Irlandës dhe katër vdekje të regjistruara, sipas të përditshmes lokale “Irish Mirror”.

Kryeministri britanik Boris Johnson paralajmëroi të dielën se nëse qytetarët britanikë nuk i përmbahen rreptësisht distancës, atëherë qeveria mund të vendosë masa të reja.

Komentet e tij pasuan në një fundjavë me diell në Britani, ku në mediat sociale qarkulluan fotografi të parqeve dhe hapësirave publike të mbushura përplot me njerëz.

Koronavirusi i ri, i njohur zyrtarisht si COVID-19, u shfaq për herë të parë në qytetin kinez Wuhan në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa sipas të dhënave të universitetit amerikan Johns Hopkins, ai është shpërndarë në më shumë se 169 shtete dhe rajone.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka shpallur sëmundjen pandemi botërore.