McCarthy: Një gjykim ndaj Trumpit do ta ndante më shumë vendin tonë

Lideri i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy u ka bërë thirrje demokratëve që të heqin dorë nga mundësia e nisjes së gjykimit të dytë ndaj presidentit në largim, Donald Trump.

“Kombi ynë nuk është vetëm i ndarë. Ne jemi të lënduar thellësisht…gjykimi i presidentit, të cilit i kanë mbetur 12 ditë të mandatit, vetëm se do ta ndante më shumë vendin tonë”, ka thënë ai përmes një deklarate të publikuar të premten.

Liderët demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve po diskutojnë lidhur me mundësinë e nisjes së procesit gjyqësor ndaj Trumpit, pas protestave të dhunshme, të mbështetësve të Trumpit, të cilët sulmuan të mërkurën ndërtesën e Kongresit amerikan.

McCarthy tha se ka kontaktuar me presidentin e zgjedhur, Joe Biden për të biseduar lidhur me format se “si të punojmë së bashku dhe ta bashkojmë shtetin, në mënyrë që të zgjidhim sfidat e Amerikës”.

McCarthy është mbështetës i madh i Trumpit. Gjatë seancës së përbashkët të Kongresit më 6 janar, ai ishte në mesin e republikanëve, të cilët kundërshtuan certifikimin e fitores së Bidenit në zgjedhjet e 3 nëntorit, 2020.

Edhe republikanë të tjerë kanë shprehur qëndrime të ngjashme si të McCarthyt.

Demokratët, por edhe disa republikanë, kanë kërkuar nga nënpresidenti aktual, Mike Pence që të aktivizojë amendamentin 25 të Kushtetutës, që do t’i lejonte atij të merrte përgjegjësitë e presidentit dhe Trump të largohej nga detyra.

Në të kundërtën, demokratët kanë thënë se do të tentojnë të shtyjnë përpara gjykimin ndaj Trumpit, duke e akuzuar atë se ka nxitur protestuesit e dhunshëm më 6 janar, të cilët sulmuan Kongresin. Në këtë ngjarje, pesë persona kanë vdekur.