“Gazeta MAPO nuk do të shihet më me lexuesin e saj. Lexuesi nuk do të prekë më letrën e faqeve të saj, ndoshta kjo mund të jetë e përkohshme”, shkruan përmes një postimi në Facebook, Bujar Kapexhiu, karikaturist në gazetën e shtypur MAPO.
Po kështu, dritën e botimit nuk do ta shohë më as gazeta Shekulli, e cila nisi të botohej në vitin 1997.
“Të nderuar e të respektuar miqtë e mi të Facebook-ut kudo që ndodheni, ju dërgoj përshëndetjet e mia për gjithçka që kemi komunikuar së bashku. Ky komunikim virtual ka qenë një kënaqësi e veçantë. Kemi shkëmbyer së bashku shumë ide dhe për këtë ju falënderoj të gjithëve, pa dallim.
Falënderoj të gjithë ata që i kanë pëlqyer dhe kanë shprehur fjalë të mira e inkurajuese për çdo krijim timin, por nuk mbaron këtu kontigjenti i falënderimeve, sepse kam rezervuar edhe një racion të bollshëm për të gjithë ata që nuk i kanë pëlqyer, apo kanë pasur vërejtje për karikatura të veçanta, ndoshta kanë shprehur dhe fjalë të rënda e jo etike”, shkruan Kapexhiu për mbylljen e Mapo-s.
Më tej shton:
“Edhe ata janë miqtë e mi dhe i falënderoj sinqerisht, me gjithë zemër, për angazhimin e tyre. Edhe ata janë pjesë e veprës sime e, për të qenë më i saktë e i sinqertë deri në fund, kam mësuar prej tyre, edhe pse në çast të parë nuk kam qenë dakord, por me kalimin e kohës, larg nxehtësisë së parë të leximit, i kam mirëkuptuar dhe kam mësuar prej tyre. Këtë çast që po shkruaj më vjen keq që ju jap një lajm të trishtueshëm.
Gazeta MAPO nuk do të shihet më me lexuesin e saj. Lexuesi nuk do të prekë më letrën e faqeve të saj, ndoshta kjo mund të jetë e përkohshme. Lus Zotin të jetë kështu! Megjithatë, unë, për të mos humbur e për të mos u larguar nga të gjithë miqt e mi që kam pasur gjatë kësaj kohe e që mund të shtohen në vazhdimësi, do të vazhdoj bashkëpunimin me ju nëpërmjet karikaturës e zhanreve të tjera, si anekdota, shkrime humoristike, poezi humoristike e satirike për probleme të ndryshme, sidomos aktuale. Me këtë rast ju informoj dhe për një hap të ri në komunikimin që mund të bëjmë së bashku. Nëpërmjet këtij Facebook-u personal studioja jonë artistike do të pranojë me kënaqësi e do të realizojë me cilësi çdo kërkesë të miqve tanë për karikatura miqësore të llojeve të ndryshme, për raste festash, dasma, datëlindje etj. etj. Edhe njëherë ju falënderoj për bashkëpunimin dhe ju çmoj si një ndihmë të rëndësishme e me shumë vlerë për jetën dhe krijimtarinë time. Faleminderit për gjithçka! Mbarësi kudo e kurdoherë!”
Duhet thënë se interesi për shtypin e shkruar ka rënë vit pas viti. Tavolinat ,edhe pse mesditë i gjen plot me gazeta pasi nuk ka shitje. Në një kronikë të disa javëve më parë në Top Channel, ku raportuam mbylljen e “Shqiptarja.com” mësuam se ka edhe nga ata lexues që nuk e blejnë gazetën, por e marrin borxh për ta lexuar pranë pikave të shitjes.