Mbi 200 ligje s’arritën të miratohen, paga e profesorëve dhe largimi i kazinove do të presin zgjedhjet

Deputetët dolën nga Kuvendi por aty lanë 208 ligje të pamiratuara. Ndër ligjet për të cilat më së shumti u përfol nga partitë dhe që mbetën të pamiratuara janë:

LIGJI I PAGAVE – RRITJE E PAGAVE NË ARSIMIN E LARTË PËR 10 PËR QIND
LIGJI PËR LOJËRAT E FATIT – LARGIMI I KAZINOVE PËR 3 KILOMETRA NGA VENDBANIMET
LIGJI PËR MINERALE – SHKËPUTJE E KONCESIONEVE NË RAST SE NË TERREN TË NJËJTAT RREZIKOJNË SHËNDETIN DHE SIGURINË E QYTETARËVE
LIGJI PËR NDRYSHIMIN E KODIT ZGJEDHOR – NGA 6 TË KEMI 1 NJËSI ZGJEDHORE DHE PËRFAQËSIM I BARABARTË NË BAZA GJINORE NË LISTA ZGJEDHORE
LIGJI PËR VETING – PASTRIM I FUNKSIONARËVE SHTETËROR
LIGJI PËR REPROGRAMIM – SHLYERJE E BORXHEVE TË NDËRMARRJEVE PUBLIKE

Deklarativisht partitë janë shprehur “pro” këtyre ligjeve, por bllokimi i tyre ka përplasur në vazhdimësi LSDM-në dhe VMRO-DPMNE-në. Këtë e bënë edhe sot. Muhamed Zekiri i LSDM-së në emisionin “Utrinski brifing” e kritikoi ish kryetarin e Komisionit për punë dhe politikë sociale, Vllatko Gjorçev se me qëllim nuk ka thirrur seancë që mos të realizohet rritja e pagës në arsimin e lartë.

“Duhet ta përmendim ligjin i cili bllokohej nga VMRO-DPMNE-ja, më saktë deputeti i tyre, Vllatko Gjorçev i cili është kryetar i Komisionit për punë dhe politikë sociale i cili nuk e thirri seancën me qëllim që mos të kalojë ligji me të cilin parashihej rritja e pagave për 10 për qind për profesorët. Ata me qëllim e kanë bllokuar miratimin”, deklaroi Zekiri.

E Gjorçevi ka tjetër arsye, ai thotë se ligji hyri shumë vonë në procedurë kuvendore dhe nuk kishte kapacitet të miratohet i njëjti, për siç tha ai, sepse në rend dite kishte nga 300 pika të rendit të ditës dhe për këtë shkak nuk është thirrur seanca.

“Komisioni u thirr disa herë dhe punuam, por përkohësisht duhej të ndërpritet sepse kishim një numër të madh të pikave edhe në Komision edhe në seancë plenare. Bëhet fjalë për situatë ku në Kuvend kemi 300 pika të rendit të ditës dhe plus kishim punë në seancë plenare deri në ora 5 të mëngjesit”, theksoi Gjorçev.

Ligjet të cilat nuk janë miratuar mund të rikthehen në procedurë nëse propozuesit e kërkojnë këtë brenda 30 ditësh pas konstituimit të përbërjes së re parlamentare, sqaroi kryparlamentari në largim, Talat Xhaferi.

“Në Rregullore përshkruhet, që pas shpërndarjes së Parlamentit, me zgjedhjen e përbërjes së re, nëse propozuesi në afat prej 30 ditësh nga konstituimi i Parlamentit e rikthejnë në procedurë atë ligj që ka ngelë, ai mund të rikthehet në procedurë. Nëse propozuesit nuk sqarohen brenda 30 ditëve, aty ndërpritet procedura sikur nuk ka ekzistuar”, theksoi Xhaferi.

Ligjet nuk do të mund të miratohen, sepse Kuvendi tashmë është shpërndarë shkaku se më 12 prill kemi zgjedhje të parakohshme parlamentare.