Manastirliu: Hiqen kufizimet për transportin publik

Ministrja e Shëndetësisë së Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, me anë të një videoje në Facebook, ka treguar se çfarë do të ndodhë nëse vijon shtimi i rasteve në terapi intensive në vendin tonë.

“Nëse do të kemi shtim të rasteve në terapi intensive, do të rihapim spitalin “Shefqet Ndroqi” ose Covid 2. Nëse vijon më tej rritja, do të hapim spitalin Covid 4, në aksin Tiranë-Durrës. Gjithësesi, qytetarët janë të lutur të mbrojnë sistemin shëndetësor nga mbingarkesa”, tha Manastirliu.

Më tej, ministrja dha edhe një lajm mbi transportin publik: “Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur të heqë kufizimet për transportin publik. Por, me disa masa sigurie të miratuara. Njerëzit duhet të përdorin maskë gjatë udhëtimeve të tyre, kjo do të jetë e detyrueshme. Këto masa janë të domosdoshme për të mbrojtur shëndetin e popullatës”.