Maas thirrje vendeve të pasura për të marrë më shumë refugjatë

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, bëri thirrje për një shpërndarje më të drejtë të refugjatëve midis kombeve të botës, ndërsa përgatitet të marrë pjesë në Forumin e parë Global për Refugjatët të Kombeve të Bashkuara.

“Midis vendeve të kësaj bote, vetëm 20 % janë të gatshëm të pranojnë refugjatë. Nëntë nga dhjetë vendet që marrin më shumë refugjatë janë kombe me të ardhura të ulëta ose mesatare”, tha ai për ZDF, sot në Gjenevë.

“Vendet e industrializuara duhet të bëjnë më shumë. Gjermania ka marrë përsipër shumë më tepër përgjegjësi se të tjerët, kohët e fundit”, vazhdoi më tej Maas.