Luani sulmon rojën e kopshtit zoologjik në Gjermani

Një punëtore ka marrë lëndime fizike pasi që u sulmua nga një luan në kopshtin zoologjik të Osnabruck në Gjermani, kur ajo hyri të pastrojë kafazin e kafshës. 25-vjeçarja u dërgua në spital si një masë paraprake, tha policia për agjencinë e lajmeve DPA.

Ajo me sa duket kishte harruar të mbyllte një derë lidhëse në kafazin e luanit, transmeton NDR, duke iu referuar deklaratës së policisë gjermane.

Kur vuri re gabimin e saj, kafsha papritmas iu afrua asaj dhe e plagosi me putrën e tij, thuhej në deklaratë.

“Kujdestarja e kafshëve aktualisht nuk rrezikon të humbasë jetën e saj dhe po trajtohet në spital. Ne i urojmë të gjitha të mirat dhe shpresojmë të jetë më mirë së shpejti. Të pesë kafshët ishin në mbyllje dhe të siguruara në çdo kohë,” thuhet në njoftimin e kopshtit zoologjik.

Objekti aktualisht është i mbyllur për publikun si pjesë e masave të bllokimit të koronavirusit në zonë.