LSDM-ja tërhoqi nismën për thirrjen e seancës urgjente të Kuvendit

LSDM-ja heq dorë nga iniciativa për thirrjen e seancës së Kuvendit. Socialdemokratët ndjehen të zhgënjyer nga përgjigjja e kryetarit të Kuvendit se thirrja e seancës paraqet puç. Nënkryetari partisë në pushtet, Kosta Petrov në emisionin200 thotë se për zgjedhje mund të flitet vetëm pas kalimit të krizës shëndetësore.

Pritej përgjigja e Xhaferit për disa ditë dhe ai vendosi të përgjigjet përmes mediave dhe jo me shkrim ashtu siç e parashikon Rregullorja. Neve si subjekt sigurisht që e pranojmë vendimin e tij dhe neve nga ana jonë bëmë çka mundëm duke i shfrytëzuar të gjitha mundësinë. Kjo iniciativë kishte vetëm një qëllim kryesor dhe ai ishte mekanizmi më i mirë kontrollues dhe puna më e lehtë e Qeverisë – deklaroi Kosta Petrov, nënkryetar i LSDM-së.

Vendimin e kryetarit të Kuvendit e mbështet VMRO-DPMNE-ja për të cilën seancën e Kuvendit mund ta thërrasin vetëm qytetarët në zgjedhjet e ardhshme.

Qëndrimi jonë për këtë tentativë jo kushtetuese e përbërjes së kaluar parlamentare e kemi thënë dhe po e them: Kjo përbërje është e kaluar dhe mandati i deputetëve ka përfunduar që kur është votuar shpërndarja. Vetëm populli në zgjedhje mund ta kthej Parlamentin dhe ta mbushë sallën me deputet – u shpreh Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Idenë e opozitës maqedonase e mbështet edhe BDI-ja, e cila propozimin e partnerit të koalicionit e quan jo serioze.

Kam dyshime në seriozitetin e iniciativës sepse për një gjë të tillë neve jemi njoftuar përmes mediave. Po të kishte një qëllim më serioz për kthimin e Kuvendit, sigurisht që rruga do ishte ndryshe derisa ekziston një rrugë e tillë. Mirëpo është dashur një komunikim tjetër, të shohim argumentet kushtetuese – theksoi Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Socialdemokratët kthimin e Kuvendit e kërkojnë me qëllim miratimin e dy vendimeve të presidentit Stevo Pendarovski mbi gjendjen e jashtëzakonshme. Sipas tyre pas kësaj iniciative nuk fshihet kthimi i Qeverisë politike. Më 17 maj vendimi i presidentit për gjendje të jashtëzakonshme shfuqizohet. 21 ditë më pas vendi duhet të shkojë në zgjedhje, por kjo sipas aktorëve politik varet nga situata me pandeminë. Për këtë subjektet politike mbrojnë idenë për takim liderësh tek presidenti në të cilin do të zgjidheshin çështjet mbi mbajtjen e zgjedhjeve dhe fatin e Qeverisë teknike.