Limaj: Kushtetuesja u dha fund dilemave

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese që njohu të drejtën e formimit të qeverisë nga Avdullah Hoti i mandatuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për formimin e qeverisë së re.

“Aktgjykimi sotëmi dha fund dilemës nëse Kuvendi i Kosovës ka të drejtë të zgjedhë një qeveri tjetër nga partia e dytë pas mocionit të suksesshëm për rrëzimin e qeverisë apo jo”, ka shkruar Limaj në Facebook.

Limaj ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese qartëson rrugët kushtetuese që duhet ndjekur për formimin e institucioneve, si dhe ky vendim, sipas tij, do të kontribuojë në evitimin e ngërçeve institucionale në të ardhmen.

Partia e Fatmir Limajt ka arritur koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës pas rrëzimit të qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.

Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila pretendonte se dekreti i presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit nga LDK-ja, për formimin e qeverisë së re, ishte në kundërshtim me Kushtetutën.