Më 1 mars të 2020-së pritet të hyjë në fuqi Ligji gjerman për Fuqinë Punëtore, i cili rregullon me detaje ardhjen e tyre nga vendet jashtë Bashkimit Evropian.
Sipas Ligjit, për herë të parë mund të vish në Gjermani edhe me një vizë gjashtë mujore për të kërkuar punë duke i mbuluar personalisht shpenzimet për këtë periudhë. Përveç kësaj të rinjtë nën moshën 25 vjeç që kanë mbaruar shkollën, mund të vijnë për të kërkuar një vend kualifikimi për deri në gjashtë muaj, nëse matura e tyre i kualifikon për shkollë të lartë, nëse njohin gjermanishten në nivelin B2 dhe e sigurojnë vetë jetesën në këtë kohë.
Ministria gjermane e Punëve të Jashtme me anë të një video ka treguar se ka hapur zyrën e re që do t’ju ndihmojë aplikuesëve që ta marrin një vizë më të shpejtë.
Gjermanisë i nevojiten punëtorë të kualifikuar, kryesisht në sektorin e shëndetësisë, teknikës informative dhe zejtarë të kualifikuar.
“Ne do të kujdesemi këtu që të përshpejtojmë procedurën për ata kandidatë për të cilët ka nevojë më shumë ekonomia gjermane”, thotë Jan Freigang në videon e publikuar.
Feride Oezdemir shton se, “kërkesa për vizë bëhet në ambasada dhe kërkesa më pas kalohet në Berlin”.
Deri më tani disa qindra mijëra punëtorë nga vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shkuar në Gjermani të punojnë përmes Rregullores së Ballkanit të qeverisë gjermane.
Nga ekspertët ajo shihet si sukses i madh që po përmbush nevojat e tregut gjerman të punës.
Sipas Institutit të Ekonomisë Gjermane në fillim të këtij viti kanë qenë të regjistruar afër 100 mijë vetë nga vendet e Ballkanit Perëndimor që punojnë në punë të thjeshta në Gjermani dhe 60 mijë të tjerë që kanë gjetur punë të kualifikuara.
Por kjo rregullore e posaçme e qeverisë gjermane, e cila u ofrua si mundësi për të reduktuar numrin e refugjatëve nga vendet e Ballkanit në vitin 2015, përfundon në vitin 2020.