Liderët e partive ka dy orë që po bisedojnë për datën e zgjedhjeve parlamentare

Në përbërje të njëjtë si edhe herën e parë, me ndryshime të vogla sa i përket shoqëruesve, në vilën Vodno liderët e partive politike në vend po bisedojnë për datën e zgjedhjeve parlamentare. Takimi filloi pak pas orës 12, ndërsa me të udhëheq presidenti Stevo Pendarovski, ndërsa marrin pjesë edhe kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi dhe kryeministri Oliver Spasovski.
Kusht që të mbahet ky takim ishte respektimi i protokolleve shëndetësore për zbatimin e fushatës dhe votimit në ditën e zgjedhjeve, mendim nga KSHZ-ja për kornizën kohore që iu nevojitet, si dhe informacion nga OSBE/ODIHR në lidhje me praninë e tyre gjegjësisht vëzhgimin e zgjedhjeve.
Partitë më të mëdha, para se të ulen, për herë të dytë në këtë tavolinë, i shfaqën publikut qëndrimet e tyre për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe sipas tyre dallimet janë të mëdha. LSDM-ja është për zgjedhje të shpejta, dje BDI-ja doli me qëndrim të njëjtë, përderisa VMRO-DPMNE-ja vlerëson se nuk duhet të shpejtohet, por në rende të parë të jetë shëndeti i qytetarëve.
Gjithashtu qëndrime të ndryshme kishte edhe në mesin e anëtarëve të KSHZ-së sa i përket kohës së nevojshme për Listën Zgjedhore dhe veprimet tjera zgjedhore. Ekziston mundësia për zgjedhje verore.
Edhe në këtë takim të dytë të liderëve sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, që organizohet në hijen e krizës korona, janë respektuar të gjitha
masat dhe rekomandimet shëndetësore, gjegjësisht liderët janë me maskë, janë të ulur në distancë, si dhe shoqëruesit e tyre partiakë.
Në takim marrin pjesë liderët e LSDM-së, Zoran Zaev, VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, BDI-së, Ali Ahmeti, Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, Alternativës, Afrim Gashi, Lëvizjes Besa, Bilall Kasami dhe Azem Sadiku, si përfaqësues i PDSH-së./MIA