Lampard nuk e kursen Kepan: Ishte gabim i pastër, ai duhet të reflektojë

Trajneri i Chelseat, Frank Lampard, e ka kritikuar Kepa Arrizabalagan për gabimin që i kushtoi me gol duke e konsideruar fajtor për humbjen nga Liverpooli.

Blutë pësuan me rezultat 2-0 në ndeshjen, në të cilën pjesë e dytë e zhvilluan me një lojtar më pak pas përjashtimit të Andreas Christensen me karton të kuq në fund të gjysmës së parë.

Sadio Mane e shënoi me kokë golin e parë, ndërsa goli i dytë erdhi pas një gabimi të pafalshëm të portierit, i cili ia pasoi topin senegalezit.

Krahas këtij gabimi, Lampard e ka përmendur edhe golin e pranuar në fitoren prej 3-1 kundër Brightonit. Për më shumë, trajneri ka bërë të ditur se në ndeshjen e të mërkurës në Carabao Cup ndaj Barnsleyt do të luajë portieri i dytë, Willy Caballero.

“Sa i përket situatës së Kepas, ishte një gabim i pastër. Një gabim që na ka kushtuar, sepse në atë pikë patën një penallti që ndoshta do të mund të shënonim”.

“Këto vija të holla i ndryshojnë ndeshjet në këto nivele. Ai (Kepa) duhet të ketë mbështetje rreth tij, kjo është e qartë”.

“Është e qartë se tash janë dy ndeshje, ky ishte gabim i pastër dhe goli ndaj Brightonit ishte po ashtu gabim dhe ai duhet të reflektojë në këtë mënyrë”.

“Lojtarët kanë nevojë për mbështetje, sidomos për mbështetjen time. Unë ua jap të gjithëve. Kepa duhet të vazhdojë angazhimin, askush nuk dëshiron të bëjë gabime në futboll, është natyra e këtij sporti”, ka thënë Lampard në konferencën për shtyp.