Lajmet e rreme, “armë” për përplasjet mes partive

“Një lajm të këtillë të rrejshëm të LSDM-së ta përgënjeshtrojmë përmes institucioneve”- Hristijan Mickovski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

“VMRO-DPMNE-ja dhe deputetët e saj ndajnë lajme të rrejshme dhe kujdes të rrejshëm për qytetarët”- Jagoda Shahpanska, LSDM.

Përfaqësuesit e partive politike gjithnjë e më shumë po akuzojnë njëra tjetrën për lajme të rrejshme edhe pse jo rrallëherë ato përgatiten në “kuzhinat” e tyre. Informacionet e këtilla “hov” më të madh marrin para çdo cikli zgjedhor. Qeveria kohë më parë paralajmëroi se do të ndërtojë strategji për luftë kundër lajmeve të rrejshme, por akoma nuk ka asgjë konkrete. Për Alsat, nga Qeveria thonë se vazhdojnë punimet në Planin aksionar kundër shpërndarjes së lajmeve të rrejshme. Ndërsa ky plan është i hapur që të komentohet për përmirësim nga të gjitha palët përkatëse.

Janë avancuar protokollet për komunikim të brendshëm. Së shpejti do të miratohet plan për komunikim të brendshëm me të punësuarit në institucionet shtetërore. Rregullisht provohen faktet dhe shpejtë reagohet në opinion kur me tendencë ose me qëllim shpërndahen të pavërteta”-thonë nga Qeveria.

Por, ekspertët thonë se shpërndarja e lajmeve të rrejshme është vështirë për tu luftuar pasi ndëshkime për lajme të rrejshme nuk parashihen as në konventat ndërkombëtare. Dejan Georgiev nga Qendra për Zhvillimin e Mediave, thotë se ky proces duhet të nisë të luftohet me edukim të mirëfilltë mediatik nëpër shkolla. Sipas tij, njëra nga mundësitë për të pasur sa më pakë lajme të rrejshme, është sjellja etike e politikanëve.

Nga politikanët do të prisnim që edhe ata të sillen me ndonjë etikë. Nuk e di sa mundet, sepse ligjërisht këtë nuk mund ta ndalojmë për shkak se është e mbrojtur me konventa dhe marrëveshje ndërkombëtare lidhur me lirinë e të shprehurit. Por nga ata mund të kërkojmë të përmbahen dhe tu referohen fakteve”-pohoi Dejan Georgiev, gazetar.

Sipas Georgievit, lajmet e rreme janë “arma” më e fortë e partive politike gjatë proceseve zgjedhore, pasi i përdorin ato për të përfituar më shumë besim dhe mbështetje nga qytetarët.