Lajm i Fundit: Ahmeti sot është takuar edhe me Zaevin edhe me Mickovskin

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, sot ka realizuar takime edhe me kryetarin e LSDM-së, Zoran Zaev edhe me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, mer vesh Lajm nga burime partiake.
Takimin me Zaevin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Në intervistë për 10 MINUTA,
Osmani ka njoftuar se në takim është biseduar zyrtarisht për koalicion të përbashkët.

“E vërteta është se sot ka pasur takime, mes zotëri Ahmetit dhe kryetarit të LSDM-së. Takimi ka qenë konstruktiv. Është biseduar edhe zyrtarisht edhe formalisht për mundësinë për një koalicion të përbashkët. Takimi është shpresëdhënës në aspekt të një epilogu të suksesshëm, por jo edhe determinues për një epilog të suksesshëm për shkak se do të duhet të ketë edhe takime shtesë për të qartësuar pozicionet e ndërsjella të dy partive politike për të arritur një koalicion”, tha Osmani.
Ndërkaq takimin Ahmeti-Mickovski e kanë konfirmuar nga VMRO-DPMNE për Tv24, duke thënë se takimi eshte realizuar në Kuvend, ka zgjatur një orë dhe ka qenë konstruktiv.