Aktori dhe shkrimtari, Çun Lajçi, i ka shkruar sot një porosi liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, raporton Gazeta Express.
Lajçi ne letrën e tij e ka lutur Kurtin që t’ia marr pa frikë mandatin Hashim Thaçit dhe që të lidh koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës për të bashkëqeverisur.
Ndër të tjera artisti Kosovar i ka bërë thirrje Kurtit që të largohet nga mendimet narcizoide pasi që Kosovës duhet t’i hapen rrugët.
Shkrimi i plotë i Lajçit:
Lum Albini
Mos u ba si Micat pa mbiemna, m’u turrë me i hip kalit me bajrak n’dorë e me thye qafën tue zbritë kah bishti!
Unë s’jam i ditun si ti e të tjerët (edhe pse pak shkollë jete bana) me t’mësua si hipet e si zbritet pa u thye, si qeshet e si nderohet pa t’përqeshë, si punohet e si fitohet pa t’sha, si rritesh e s’bahesh mendjemadh!
Mos kno m’thoshte baba kur qyqja knon se ia then rremin e kanga të nxihet!
Miku im, s’po m’pëlqejnë përuljet, përkuljet kot s’koti, kur po përshendetësh, as buzagazi i tharpt, e s’di si Qosja me t’këshillua keq! Sidoqoftë, kujdes se demagogjia zbulohet leht n’përkulje koti! Ti s’je ai i duhuni që duhet t’përkulesh!
Hiçu mendimeve narcisoide që t’i mbyllin dyert, se popullit duhesh me i çelë rrugë!
Gjarpnit mos ia kqyr sytë nëse ia ke dronë helmit e verbimit, po merrja mandatin e besoi vetes ma parë se Vjosës, Isës e Avdullahut, e lidh besë me ta e dy herë me veten, e bahu besnik për me kërkua besnikninë te ata, se boll na prinë karajfilat!