Lajçak pyetet për njohjen reciproke: Për të marrë, duhet të jesh i gatshëm të japësh diçka

Ky i fundit nga gazetarët është pyetur edhe për përmendjen e njohjes reciproke nga pala kosovare, si materie kryesore e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Përgjigja e Lajçak ishte se BE po diskuton për normalizim të raporteve, dhe se Kosova e Serbia e kanë bërë të qartë se si e shohin këtë normalizim.

“Ne po negociojmë për normalizim të raporteve. Mandati im është për normalizim dhe nuk mund ta përkufizojë këtë. Ana e Prishtinës dhe Beogradit e kanë bërë të  qartë se si e nënkuptojnë normalizimin. Mua më duhet të lehtësojë marrëveshjen, mirëpo u takon palëve. Nëse nuk ka marrëveshje s’do të ketë as normalizim. Nuk do të ketë marrëveshje pa Asociacionin, sepse Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar marrëveshjen. Kur disa politikanë thonë se rasti është mbyllur, i bije që ata nuk duan të rihapin tekstin, dhe nuk e kërkojmë këtë, ne kërkojmë vetëm implementimin”, tha Lajçak.

Në këtë kontekst, ai tha se palët për të marë diçka, duhet të japin diçka tjetër, dhe se sipas tij asnjë nga akterët me të cilët ai është takuar në ditët e fundit nuk ka pasur problem për këtë çështje.

“Nuk kam takuar asnjë partner që ka ndonjë problem për këtë çështje. Kompromisi është parim shumë i mirë në negocim, nëse dua të marr diçka duhet të japësh diçka. Të dyja palët duhet të jenë të gatshme të japin diçka në mënyrë që të marrin atë që dëshirojnë”, tha ai.