Lajçak: Kosova të jetë gati për kompromis; formimi i Asociacionit, pas nënshkrimit të marrëveshjes

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në përfundim të vizitës së tij në Prishtinë tha se themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe është obligim që ka marrë Kosova me marrëveshjen e vitit 2013.

Lajçak, tha se zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe nga ana e Kosovës duhet të ndodh, menjëherë pas arritjes së marrëveshjes finale me Serbinë.

Mirëpo, para se të ndodh kjo, Lajçak tha se institucionet e Kosovës duhet që të fillojnë diskutimin për statutin e Asociacionit të Komunave Serbe, si dhe të përfundojnë të gjitha çështjet e tjera të rëndësishme për këtë proces.

“Gjëja tjetër është të diskutojmë mbi statutin dhe kjo është ajo që ne presim. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse. Marrëveshja do të fillojë të zbatohet pas nënshkrimit. Pra, kjo do të thotë që zbatimi i marrëveshjes së asociacionit do të pasojë pas nënshkrimit të marrëveshjes. Por, detajet e asociacionit duhet të dakordohen si pjesë e negociatave sepse nuk duhet të mungojë qartësia e ndonjë çështjeje në momentin e nënshkrimit ”, deklaroi Lajçak.
Nicholas Whyte.

Lajçak tha se rezultati më i rëndësishëm i vizitës së tij në Kosovë është se gjatë takimeve, u konfirmua se Kosova do të respektojë të gjitha angazhimet e saj, përfshirë atë për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Lajçak tha se përfaqësuesve politikë të Kosovës u ka bërë thirrje për kompromis.

“Dialogu është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të Kosovës. Dialogu i ofron Kosovës një mundësi për të diskutuar të gjitha çështjet e pazgjidhura me Beogradin. Dialogu duhet të mbyllë të gjitha çështjet e hapura por në të njëjtën kohë duhet të jetë e qartë se çdo marrëveshje mund të jetë vetëm rezultat i një kompromisi. Unë u bëra thirrje bashkëbiseduesve që të jenë të gatshëm për kompromis”, deklaroi Lajçak.

Lajçak gjithashtu tha se Lista Serbe nuk ka asnjë arsye që të largohet nga institucionet sepse “të gjithë partnerët e saj konfirmuan qartë se kjo është çështje e dakorduar dhe që do të diskutohet”.

Lista Serbe ka thënë se mund të largohet nga institucionet e Kosovës nëse nuk ndodh formimi i shpejt i Asosacionit të Komunave Serbe.
Përfaqësuesi i Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili njëherësh është edhe zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës.

Pas takimit që pati me Lajçak, të martën më 13 tetor, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se formimi i Asociacionit të Komunave Serbe nuk do të ndodhë pa arritjen e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi. Kjo marrëveshje sipas Hotit, duhet të përfundojë me njohje të dyanshme.

“Asgjë nuk fillon të zbatohet derisa nuk përmbyllet marrëveshja përfundimtare me njohje reciproke e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës”, deklaroi kryeministri Hoti.

Të mërkurën, Lajçak është takuar edhe me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Përmes një konference për gazetarë, presidenti Hashim Thaçi, kërkoi që në tryezën e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë të diskutohet për njohje reciproke.

“Të hidhet në tryezë mundësia e diskutimit për njohjen reciproke dhe kjo duhet të jetë pika e parë e marrëveshjes pastaj çështjet tjera vijnë më lehtë dhe jo të vazhdohet me çështje teknike qe i kemi diskutuar tash e dhjetë vjet në Bruksel”, u shpreh presidenti Thaçi.
Giuseppe Famà nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave.

Lajçak ka takuar edhe liderët e partive opozitare si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Lajcak u prit edhe nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett me të cilin diskutoi për “interesat e përbashkëta” në dialogun Kosovë – Serbi.

“Marrëveshjet e Uashingtonit e plotësojnë këtë proces të udhëhequr nga BE-ja. Do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të arritur qëllimet e përbashkëta: normalizimin dhe njohjen e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Kosnett në Twitter.