Kuvendi e miratoi Ligjin për investime strategjike

Kuvendi sot pasdite, në kuadër të seancës së 130-të me shumicë votash e miratoi Ligjin për investime strategjike në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Ligji, siç tha gjatë sqarimit zv/kryeministri për çështje ekonomike Koço Angjushev, do të mundësojë qarkullim të lirë mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, trajtim të barabartë të investimeve vendore dhe të huaja, si dhe zhvillimin e barabartë rajonalë në shtet. Megjithatë, kyçe është, potencoi, që procedura për secilin investim të ardhshëm strategjik do të jetë jashtëzakonisht transparente.

Deputetët, megjithatë, i kundërshtuan qëndrimet. Ato nga partia në pushtet potencuan transparencën që e përmendi edhe Angjushev, si dhe një sërë përfitimesh tjera, ndërsa kolegët e tyre opozitarë vlerësuan se ligji nuk është sistemor, e as strategjik, por vendim me porosi.

“Për çdo investim strategjik në vend do të ketë lex specialis, domethënë që çdo investim do të rregullohet me një ligj të veçantë, i miratuar në Parlament dhe i aprovuar nga deputetët. Propozim ligji për investime strategjike ka të bëjë gjithashtu me investimet strategjike që kanë ndikim edhe në zhvillimin e rajonit në tërësi. Ndihma shtetërore do të marrë çdo investim me vlerë prej më shumë se 100 milionë euro që do të zbatohet në dy ose më shumë komuna, secili investim mbi 50 milionë euro në komunat urbane dhe secili investim mbi 30 milionë euro në zonat rurale”, shpjegoi Angjushev.

Deputetët e shumicës në pushtet në këtë kontekst i potencuan dallimet mes mënyrës aktuale dhe paraprake të tërheqjes së investimeve. Thanë se në kohën e VMRO-DPMNE-së me shuma të larta, para të qytetarëve janë paguar promotorë ekonomik të cilët nuk kanë arritur rezultat përkatës.

Në kuadër të seancës së 130-të paraprakisht u miratua edhe Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit të Kuvendit.