Kushtetuesja ia ndalon Kurtit kandidimin për deputet, thotë Miftaraj

Njohësi i çështjeve juridike, Ehat Mitaraj, ka thënë se me aktgjykimin e sotëm të plotë të Gjykatës Kushtetuese, u ndalohet të gjithë atyre që janë të dënuar në tri vitet e fundit me vendim të formës së prerë, të kandidojnë për postin e deputetit. Me këtë vendim, sipas tij, preket edhe lideri i VV-së, Albin Kurti, të cilit Apeli ia ka vërtetuar dënimin me kusht në verën e vitit 2018. Pra, ende nuk kanë kaluar 3 vjet.

Miftaraj tha se aktgjykimi i sotëm vetëm sa ka konfirmuar atë që ka thënë Kushtetuesja në vendimin e parë për këtë rast, më 21 dhjetor.

“Me këtë aktgjykim, Kushtetuesja ka rikonfirmuar atë që është thënë në vendim e parë, se të gjithë të dënuarit në tri vitet e fundit me vendim të formës së prerë nuk do të mund të kandidojnë për deputetë, përfshirë edhe Kurtin”, ka thënë Miftaraj.

Zyrtarë nga Lëvizja Vetëvendosje nuk janë deklaruar akoma për këtë çështje duke thënë se janë duke e analizuar vendimin e Kushtetueses.

Ky aktgjykim i Kushtetueses, vjen si rezultat e kërkesës së VV-së për vlefshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi, i cili mundësoi ngritjen e Qeverisë Hoti.

Kushtetuesja shpalli të pavlefshme votën e Arifit, kësisoj edhe rrëzoi Qeverinë Hoti dhe obligoi ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, që të shpallë zgjedhjet.

Arifi ishte i dënuar me burgim efektiv prej 1 vjet e 3 muaj në kohën kur kandidoi dhe fitoi në zgjedhjet e 6 nëntorit 2019. Ai është dënuar për “mashtrim me subvencione”, por kjo nuk e kishte penguar të gjendej në listat zgjedhore.

Zgjedhjet duhet të mbahen më së largu 40 ditë nga dita kur ato i shpall Osmani.