Kurti: SHBA aleat i pazëvendësueshëm, nuk premtoj heqje vizash

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partnerë e aleatë të pazëvendësueshëm të vendit tonë në aspektin ekonomik, politik, gjeopolitik, kulturor e ushtarak. Gjatë ditës së sotme senatori amerikan David Perdue tha se SHBA duhet të rishqyrtojë praninë e saj në Kosovë nëse nuk hiqet taksa, një deklaratë kjo që gjeti mbështetjen edhe të dërguarit të posaçëm të Trump për dialogun Richard Grenell. Mirëpo, Kurti tha se beson që Republika e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i nevojitën shumë dhe gjatë njëri-tjetrit.

“Ne duam marrëdhënie edhe më të mira se përpara me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kemi partnerë e aleatë të pazëvendësueshëm në aspektin ekonomik, politik, gjeopolitik, kulturor e ushtarak, natyrisht që me zyrtarë të ndryshëm mund të kenë diferenca por unë nuk besoj që këto diferenca mund të kthehen në kundërthënie apo në antagonizma të papajtueshëm. Besoj fuqishëm që Republika e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i nevojitën shumë dhe gjatë, tepër gjatë, njëri-tjetri”, tha Kurti.

Shefi i ekzekutivit kosovar foli edhe për takimin që pati me këshilltarët e Macron dhe Merkel, me të cilët tha se diskutoi për shumë tema ndër të tjera edhe ajo e integrimit evropian.

“Ky takim nuk ishte vetëm me gjermanët ishte edhe me përfaqësuesit nga Berlini dhe Parisit, pra njerëz që janë shumë të rëndësishëm dhe janë më të afërmit e kancelares Merkel dhe Presidentit Macron për politikën e jashtme dhe aty diskutuam disa tema njëra prej tyre është çështja e integrimit evropian, e reforma ve që ne tashmë i kemi filluar si qeveri e re dhe e liberalizimit të vizave dhe në anën tjetër ishte edhe raporti ynë me Serbinë dhe çfarë duhet të ishte dialogu i ri për raporte normale mes Kosovës dhe Serbisë”, vijoi Kurti.

Kurti u deklarua edhe rreth mundësisë së liberalizimit të vizave para Samitit të Zagrebit i cili pritet të mbahet në muajin maj. Kurti tha se është bërë politikani i parë që ka fituar zgjedhjet në Kosovë pa bërë premtime rreth heqjes së vizave dhe se një premtim të tillë nuk mund ta bëjë as tani pasi nuk është në dorën e tij.

“Synimi ynë besoj racional do të ishte që kur të vije Samiti i Zagrebit ta kemi liberalizimin e vizave, por natyrisht që një gjë të tillë nuk mund ta premtoj askush. Unë jam politikani i parë i cili bëhet kryeministër pa premtuar liberalizim të vizave, nuk e premtoj dot as tani sepse nuk e kemi në dorën tonë, ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret e nevojshme. Mbase imazhin nuk e kemi të mirë sa i përket luftës të krimit dhe korrupsionit, por edhe këtë do ta përmirësojmë veçse nuk e bëjmë dot përnjëherë”, deklaroi Kurti.