Kurti: Pas çlirimit nga okupatori i jashtëm, Kosovës i erdhi një sundim nga brenda

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i është drejtuar masës së mbledhur të mbështetësve të kësaj partie, gjatë tubimit të sotëm që po mbahet në sheshin “Skënderbeu”.

Kurti theksoi se 21 vjet janë tepër shumë sipas tij, për këtë gjendje të krijuar në Kosovë me kaq shumë padrejtësi.

“Është një vit aspak i zakontë, me një pandemi të paparë që nuk ka shkuar ende. Dua të filloj me një falënderim për secilin prej jush që keni ardhë në një ditë të rëndësishme për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët dhe anëtarët e Lëvizjes Vetëendosje. Para 21 vjetësh, këmbësoria e NATOS-s hyri në Kosovë, duke shënuar fundin e luftës dhe çlirimin e Kosovës”.

“Sot kujtojmë dhe festojmë këtë liri, që e fituam me gjakun e ushtarëve tonë, me luftën e UÇK-së dhe me sakrificën e gjeneratave të tëra. Sot e kujtojmë edhe gjenocidin, vrasjen e mbi 13 mijë civilëve, zhdukjen po ashtu përdhunimet e mijëra vetave masakrat e dëbimin e masiv, djegiet dhe gjymtimin e ekonomisë e infrastrukturës. Ijemi mirënjohës NATO-s dhe SHBA-ve për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme”.

Lideri i Vetëvendosjes, tha se pas çlirimit nga okupatori i jashtëm, Kosovës i erdhi një sundim nga brenda.

“12 qershori është dita e çlirimit të Kosovës nga Serbia. Por, pas çlirimit nga okupatori i jashtëm erdhi një sundim nga brenda; njëherë përmes UNMIK-ut i cili nuk solli as zhvilim demokratik e as progres ekonomik , e më pastaj përmes një kaste të politikanëve të cilët u pasuruan përmes korrupsionit dhe bëjnë jetën e të pasurit në një shtet të varfër. Kemi një sistem gjyqësor ku blihet drejtësia dhe pastrohen kriminelët”, u shpreh Kurti.

Kurti, para turmës së mbledhur në sheshin “Skënderbeu”, ka folur edhe për 15 vjetorin e themelimit të Vetëvendosjes.

“Jo negociata, Vetëvendosje”; ishte parulla e kërkesës sonë të qartë politike për shtet të pavarur e sovran, i cili nuk negocion me Serbinë për çështjet e brendshme. Ishim gjithmonë për një shtet që vetëvendos për qytetarët e vet. Për 15 vjet kemi pasur shumë pengesa e sfida, kemi marshuar qindra herë për atë që besojmë se është e drejtë dhe e dimë që është e vërtetë”.