Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, sot ka ftuar liderët e të gjitha partive politike për t’i informuar rreth Samitit të Parisit dhe takimit në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Ashtu siç e kam thënë prej ditës së parë do të jem plotësisht transparent në këtë proces. Por, dialog teknik nuk ka. Ka vetëm dialog politik për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve”, tha Hoti të hënën kur njoftoi për ftesat drejtuar liderëve, njofton Klan Kosova
Ashtu siç raportoi Klan Kosova orë më parë opozita zyrtarisht nuk do i shkojë në takim Hotit.
Bëhet fjalë për dy partitë opozitare PDK dhe LVV.
Zëdhënësi i VV-së, Përparim Kryeziu, për klankosova.tv tha se nuk do i përgjigjen ftesës së Hoti dhe se dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë i përgatitut mirë dhe me parime.
“Kemi pranuar një ftesë për takim me liderë, të cilës, sikurse e kemi bërë veçse të qartë, nuk do t’i përgjigjemi”.
“Nuk mund të ketë dialog të mirëfilltë pa legjitimet të ri përmes zgjedhjeve. Dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë i përgatitur mirë dhe me parime, e kjo qeveri, përveç se jolegjitime dhe jo legale, nuk është as e përgatitur dhe as nuk ka parime për këtë dialog”.
Po ashtu Klan Kosova nga burime të sigurta mëson se takimit që do mbahet në ora 12:00 nuk do i përgjigjet as i pari i PDK-së, Kadri Veseli.