Kur politikanët mbeten peng të partisë

Xheladin Murati

Për politikën s’ka alternative përveç se fitores. Po ja që ajo dështon dhe përsëri flet për fitore. Si ti themi kësaj pune? Atëherë në politikë nuk ka sinqeritet as përgjegjësi. Politikanët duhet të jenë largpamës, të shikojnë përpara, jo të jenë shkurtpamës dhe të shikojnë deri te xhepi i vetë. Dhe përkundrejt realitetit të këtillë të hidhur bartësit e politikës flasin për dobibërje. Nuk mund të mohohen arritjet dhe sukseset, por ato në kantar janë më të pakta se sa mosrealizimet , atë që premtuan.
1.Premisat. Për të trajtuar temën kam për bazë premisat vijuese:
1.Partitë të ofrojnë masa dhe programe konkrete zhvillimore.
2.Edhe pse ekzistojnë probleme të vazhdueshme midis partive opozitare, kundërshtitë ka kohë që i kanë kapërcyer kufijtë e racionalitetit.
3.Për sa kohë liderët opozitar të mbeten peng të partive të tyre bashkërenditja do të jetë e paaritshme.
4.Sa më shpejtë politikanët ta kthejnë kokën nga e ardhmja, aq më mire do të jetë për qytetarët.
5.Mentaliteti politikë dhe realiteti politik janë dy gjëra të ndryshme.

2.Qasjet dhe aspektet
Politika shqiptare ndaj shqiptaëve të RMV-së, që nga nisma e pluralizmit, është një histori suksesi me ngritje dhe rënie, e cila në fillim ka pasur vështirësi të shumta, por progresi hetohej. Sot frymohet më lirshëm por me kollitje. Shqiptarët presin më shumë nga politika. Liderët e partive politike shqiptare mos krekosen më kot, ka edhe shumë punë të pabëra.
Dy gjëra e vendosin fatin e shqiptarëve në RMV.
E para, të bashkohen partitë shqiptare rreth problemeve të tyre si në ide ashtu edhe në veprime dhe të paraqesën force origjinale, unike, jo të ndarë dhe jo të përkrahur nga SDSM apo VMRO-DPMNE. Sepse ato sa ofrojnë për interesat e veta, po aq edhe përçajnë shqiptarët për interesat e veta. Duhet të eliminohen paragjykimet, të bashkohen interesat shqiptare rreth investimeve kapitale dhe intelektuale, të luftojnë për zhvillimin e shoqërisë shqiptare, për ndaljen e largimit të trurit.
E dyta, opsion pak sa më i vështirë, por pse jo edhe i mundshëm, të jetësohet autonomia politike teritoriale ( e inicuar më 1992) që mban emrin Iliridë. Për këtë duhet të jemi të kujdesshëm, ta kemi mendjen te vazhdimësia duke pasur parasysh sa larg jemi dhe si të afrohemi tek qëllimi. Megjithatë de facto me forcat politike aktuale nuk shoh perspektivë realiste për një gjë të tillë. De jure shqiptarët në Maqedoni për kompenzim meritojnë statusin e popullit shtetëformues. Në të dyja rastet duhet mençuri, veprim, taktikë dhe strategji, siqoqoftë, le të jemi të arsyeshëm dhe të vendosur në vendimmarrje.
Duke patur parasysh kontekstin historik – kulturor, politik e identitar realizimi i kësaj ideje kërkon protagonist të sinqertë që kanë qëllime kombëtare shtetëformuese, për vendin që meritojnë shqiptarët e RMV-së. Ndaj duhet të përgatitemi edhe për mundësinë e vazhdimit të lojës së paqartë.
Politika e gjertanishme tregoi dhe demonstroi një shpërputhje të madhe mes fjalëve dhe veprave. Kjo është shprehur në disa drejtime si: angazhime deklarative për çështje esenciale, në shumë sfera e humbi kredibilitetin, tregonte entuziazëm verbal, nuk ka lën përshtypje të mire për zgjidhjen e çështjeve shqiptare, shumë ka pasur fjalë boshe. E vetmja gjë që mund t’i përshkruhet sukses është marrëveshja historike e Prespës për ndërrimin e emrit të shtetit si kusht për hyrje në NATO dhe negociata për BE-në., marrëveshja për bashkëpunim me Bullgarinë me qëllim të rishqyrtimit të historisë dhe personaliteteve, përpjekjet për eurointegrime. Këto mund të konsiderohen si ndryshime të linjave të kuqe nga paraardhësit e tyre.
Partia shqiptare në pushtet e vlerëson si të suksesshme politikën e saj edhe pse është herret për një arsyetim të tillë. Ata nuk duan ta pranojnë çështjen shqiptare si kuti e hapur e Pandorës. Mbyllja e kutisë u mbetet e hapur edhe më tej. Dua të besoj se pozita e re do të jap impuls shtesë për përforcimin e mëtutjeshën të statusit dhe pozitës së shqiptarëve në RMV.
Nuk janë vetëm dy probleme kryseore që e brengosin shtetin dhe shqiptarët në të siç janë anëtarësimi në NATO dhe inkuadrimi në BE. Të dyja këto janë çështje të kryera. Eshtë e njohur gjerësisht se për këto s’ka alternative. Ka shumë çështje të tjera që kanë ngecur dhe kërkojnë jo vetëm impulse të reja për të ndryshuar gjendjen dhe statusin tone por edhe vendosmëri dhe përkushtim. Cilat janë këto?
Po regjistroj vetëm disa sish më të rëndësishme: nuk merren me realitetin e sotshëm politik, ekonomik dhe gjeostrategjik, gjyqsorin joefikas, lojëra me prokurorinë speciale, seleksionim i drejtësisë në baza etnike, ikjen e madhe të njerëzve jashta shtetit, përmirësimin strukturor në arsim, në shëndetësi e gjetiu, të zhvillohet konkurrenca lojale në ekonomi, të gjenden zgjidhje të qëndrueshme me problemin e madh të ndotjes, të parandalohet korrupsioni i dimensionuar në të gjitha poret e shoqërisë në veçanti në arsim, shëndetësi, gjyqësi, drejtësi, punësime etj., realizimi i politikës së barazisë, drejtësia e kontrolluar nga qeveria gjykon me kute të ndryshme, drejtësia nuk është për të gjithë njejtë, seleksionohen veprat, përfaqësimi adekuat i shqiptarëve në institucione, departizimi i punësimeve,
Pra ka shumë pika të përbahkëta që e afrojnë dhe e bashkojnë pozitën dhe opozitën sesa I ndanë ato. Në të njejtën kohë është e qartë se dëshprimi është i pranishëm te të dyja palët.
Këto janë probleme madhore me të cilat do të përballet politika e ardhshme. Duhet të ofrojnë një perspektivë më serioze dhe të plot qytetarëve.
Për të bërë një politikë konsistente dhe të arsyeshme duhet respektuar dy gjëra:
Së pari, sqarimin e gjërave dhe
Së dyti, të mendohet cili do të jetë hapi tjetër.
Përndryshe do të sillemi në rrethrrotullim pa fund dhe nuk do të gjendet kaha e drejtimit dhe e rrugëtimit politikë. Zgjedhjet nuk janë gjithmonë për t’i dhënë fund kaosit dhe mosmarrëveshjeve në të cilat futen politikanët. Jo gjithnjë teoria është e qartë, praktika më së miri të drejton drejt zgjidhjeve të problemeve.
Kam bindjen se partite gjithnjë përpiqen të pezentojnë oferta konkurruese që të fitojnë besimin e elektoratit madje shumë nga ofeertat janë iracionale, të parealizueshme sipas shembullit: Nuk kemi shkollë-thuajnë qytetarët-, po do ndërtojmë shkollë. Po nuk kemi fëmijë, thotë tjetri, edhe fëmijë do ju bëjmë përgjigjet kandidati për deputet. Sepse, “Premtimet janë më argëtuese se justifikimet”, siç thotë Orson Vells
Në fakt, premtimet parazgjedhore të partive politike shqiptare (2017) ishin më të mëdha se sa u realizuan. Ndoshta ndonjë analist do të bënte çudira me analizën e tyre. Une vetëm dua të vë në dijeni se partite shqiptare miratuan një Deklaratë të plotë firmosur nga BDI, LR-PDSH dhe Besa (Koha, 9 janar 2017, f. 3) e cila zgjoi bujë të madhe te opinioni maqedonas sepse quhej Deklarata e Tiranës. Në këtë deklaratë janë të rradhitura 30 pika. Pse nuk u realizua kjo deklaratë? Përgjigje duhet të japën nënshkruesit e saj. Unë mendoj për dy arsye:
Së pari, dy partitë kryesore e më të mëdha maqedonase VMRO-DPMNE dhe SDSM janë pozicionuar shumë qartë kur janë në pyetje interesat shqiptare, kanë unifikim të qëndrimeve për të penguar atë që meritojnë shqiptarët.
Së dyti, te partitë shqiptare mungon qartësia, opozita kërkon bashkimin e saj që s’dot arrihet, kurse pozita shqiptare, partia pushtetare tenton të mbaj statusin që ka duke përkrah partitë maqedonase fituese, ndërsa opozita shqiptare luan bisht, edhe ato e mbështesin politikën e pushtetit. Megjithatë, partite shqiptare rrinë në dy karrige ulur (SDSM dhe VMRO-DPMNE). Sepse shikojnë interesat personale apo nuk dine të distancohen nga iluzionet apo premtimet boshe. Në fakt, pushteti është i lezetshëm. “Pushteti gjithmonë i tërheq njerëzit me moral të ulët”- ka thënë A. Ajnshtajni.
3.Përfundim
Unë mendoj se politika shqiptare e ka potencialin dhe këtë e kam thënë edhe më parë, por ajo duhet të shfrytëzohet. Vlerësoj se politikanët shqiptar duhet të mendojnë dhe ta trajtojnë situatën që kemi kaluar dhe të mendojnë ndryshe për të ardhmen. Shqiptarët nuk duhet të humbin shpresën, dhe mos heqin dorë nga ardhmëria.
Pasojat e ndarjeve politike, përçarjeve brenda përbrenda, lufta për pushtet e bajraktarizëm, nepotizmi, politizimi dhe partizimi i jetës e punësimeve e të ngjashme janë jo vetëm defekte, por gjëra që qytetarin e zhytin në zhgënjime me shpresa të thyera për të ardhme më të mirë.