Kryeqyteti një ditë pas festimeve të Vitit të Ri

Moti i mirë dhe me diell në ditën e parë të janarit, ka bërë që qytetarët të dali rrugëve të Shkupit. Ekipi i televizionit Alsat takoi grupin e çiklistëve. I pyetëm si kanë arritur që pas natës së Vitit të Ri, të zgjohen herët dhe të vozisin biçikletë.

Për të vozitur biçikletë, zgjohem herët. Edhe nëse fle herët në mëngjes, sërish zgjohem. E kemi traditë, është turi i Vitit të Ri. Hera e parë të vozisim deri në Radushë gjegjësisht Jegunovcë. Jemi një grup që jemi themeluar që një vit e gjysmë dhe quhemi “Shkupi Sajtling”. Çdoherë mblidhemi para Qendrës “Mavrovasja”. Grupi jonë numëron 30 anëtarë të rregullt- thotë Shaip Rahmani- “Shkupi Sajtling”.

“Mbrëmë e kuptuam që sot do të vozisim biçikletë. Kam fjetur më herët dhe isha shumë i lumtur kur pashë që moti është i mirë dhe mezi pres që ta filloj vitin e ri duke vozitur biçikletë. Përplot me energji dhe nuk ka mënyrë më të mirë që ta fillosh vitin e ri me sport”.

Edhe në sheshin “Maqedonia” mbretëronte atmosferë e mirë. Higjiena në shikim të parë ishte në nivelin e duhur.

“Është herët të flitet për organet kompetente për ta pastruar, më shumë duhet të punohet në ngritjen e vetëdijes tek qytetarët, të cilët nuk duhet ta bëjnë këtë. Ka mjaft kosha dhe atë që e kanë ngrënë gjatë festës ta hedhin nëpër kosha apo kontejnerë”.

“Duhet kultura jonë të jetë në nivelin më të lartë. Asnjëherë s’mund të pastrojnë sa ne, qytetarët mund të bëjmë mbeturina”.

“Duke pasur parasysh që ka pasur shumë njerëz, nuk është keq. Kjo është normale kur ke mijëra qytetarë. Kanë tentuar të pastrojnë ndërsa njerëzit kanë hedhur. Është vetëdija e njerëzve. Duhet shumë kohë, jemi mbrapa me kulturë. Është çështje individuale. Nuk janë të gjithë njësoj”.

Turistët në ndërkohë thonë se janë të kënaqur nga atmosfera. Një prej tyre ka udhëtuar enkas nga Irlanda për ta ndjekur koncertin e yllit të Ballkanit, Dino Merlin.

“Jetoj në Dublin të Irlandës dhe kam udhëtuar deri këtu për Vitin e Ri. Kam kaluar shumë mirë. Koncerti i ka tejkaluar pritjet e mija dhe ishte më mirë nga ajo që prisja. Shkupi ka ndryshuar në këto pesë vitet e fundit. Nuk kam qenë këtu gjatë kohë dhe nuk besoja që kaq bukur duket qyteti”.

Sheshi i qytetit do të jetë gati edhe për vitet tjera. 2020-ta le të shërbej si mësim se përveç argëtimit, duhet të mësojmë t’i mbledhim mbeturinat prapa nesh.