Kryeparlamentari turk Şentop pritet në takim nga presidenti i Maqedonisë së Veriut Pendarovski

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, priti sot Kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Republikës së Turqisë (TBMM), Mustafa Şentop, i cili po qëndron për vizitë në Maqedoninë e Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Kabineti i presidentit Pendarovski njoftoi se në takim u shkëmbyen mendime mbi marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe midis Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, të cilat zhvillohen në frymën e miqësisë dhe partneritetit të fortë tradicional, përmes bashkëpunimit në të gjitha nivelet.

“Presidenti Pendarovski shprehu besim se me aleancën në NATO, dy vendet kontribuojnë në stabilitetin dhe sigurinë në rajon. Të dy bashkëbiseduesit shprehën pritje për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale maqedono-turke, në të gjitha sferat me interes të përbashkët, përfshirë bashkëpunimin ndërparlamentar”, thuhet në deklaratën e Zyrës së Presidentit të Maqedonisë së Veriut.

Siç thuhet më tej, në takim janë shkëmbyer pikëpamje dhe informacione mbi situatën aktuale në dy vendet, duke përfshirë në kontekstin e pandemisë COVID-19, si dhe situatën e përgjithshme në rajon.

Presidenti Pendarovski shprehu mirënjohje për ndihmën e përgjithshme të Turqisë në menaxhimin e pandemisë COVID-19, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit, bashkëpunimit dhe mbështetjes së ndërsjellë nga shtetet si një parakusht i rëndësishëm për menaxhimin me sukses të pasojave të pandemisë globale.

Kryetari i parlamentit turk, Şentop, i cili po qëndron për vizitë në Maqedoninë e Veriut me rastin e 21 Dhjetorit, Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke, sot u takua edhe me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, dhe kryeministrin Zoran Zaev.