Kryediplomati amerikan: Irani duhet të largohet nga Siria

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka thënë se SHBA-të dhe Izraeli duan që Irani të largohet nga Siria.

Në një intervistë me Kan Radio të Izraelit të mërkurën vonë, Pompeo tha se Washingtoni ia ka bërë të qartë regjimit të Asadit se dëshiron t’i jepet fund përfshirjes së Iranit në Siri.
Ai tha se presioni i Amerikës ndaj Iranit është provuar efektiv dhe e ka ndaluar Teheranin të fitonte burime për të vazhduar “terrorizmin në të gjithë botën”.

“Këto janë periudha të vështira në të gjithë botën, por kjo është një marrëdhënie e rëndësishme në një kohë të rëndësishme. Unë fola me Netanyahun dhe Gantz për shumë tema, që kanë të bëjnë me Iranin dhe zgjatjen e embargos së armëve mbi ta”, tha Pompeo në intervistë, sipas të përditshmes izraelite “Jerusalem Post”.

Diplomati i lartë amerikan tha se Washingtoni shpresonte se njerëzit e Iranit do të zgjidhnin një udhëheqje të re.

Ai gjithashtu foli për aneksimin e afërt izraelit të tokës në Bregun Perëndimor të okupuar. “Qeveria izraelite do të vendosë për çështjen, saktësisht se kur dhe si ta bëjë atë,” tha ai.

“Shpresoj që palestinezët të kuptojnë se paqja është e mirë për ta”, theksoi Pompeo.

Pompeo i referohej të ashtuquajturës Marrëveshje të Shekullit, plani i propozuar nga SHBA, i cili ishte refuzuar nga palestinezët, përfshirë presidentin Mahmoud Abbas.

Sekretari i shtetit i SHBA-ve qëndron në Izrael në një udhëtim një ditor që përfshinte takime me kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe liderin e partisë “Kaltër dhe Bardhë”, Benny Gantz, por asnjë me zyrtarët palestinezë.