Kriza ekonomike në BE, 27 vendet anëtare kërkojnë zgjidhje

Liderët e Bashkimit Evropian nisën procesin e aprovimit të paketës së paprecedentë të stimulimit për ekonomitë e goditura rëndë nga koronavirusi, me vetëdijen se duhet të veprojnë sa më shpejt, por të përçarë mbi përmasat dhe kushtet e ndihmës financiare. 27 vendet anëtare u mblodhën përmes një video-konference për të diskutuar mbi rimëkëmbjen e bllokut që ka humbur më shumëse 100 mijë jetë nga Covid-19 dhe që përballet tani me një krizë të paprecedentë ekonomike. Në diskutim, është buxheti për 1.1 trilionë eurosh, për 7 vitet e ardhshme, dhe një fond rimëkëmbje prej 750 miliardë eurosh që do të shpërndahen në formën e granteve dhe kredive të buta. Ndihmat financiare do t’u shpërndahen vendeve të goditura më rëndë nga kriza shëndetësore dhe ajo ekonomike, të tilla si Italia dhe Spanja. Shtete të pasura si Austria dhe Holanda kane kundërshtuar prej fillimit idenë e ndarjes së barrës së borxhit. Zyrtarët dhe diplomatët presin që marrëveshja të siglohet në muajin korrik.