Kosovë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese shkaktoi reagime politike

Kryeministri i Kosvës, Albin Kurti kritikon Gjykatën Kushtetuese për vendimin me të cilin e shpalli të ligjshëm mandatimin e Avdullah Hotit për formim të qeverisë së re. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti e akuzon Kushtetuesen se “është rreshtuar me kapësit e shtetit.”

“Ne njëmend nuk kemi pasur shpresa të mëdha për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, mirëpo, ky vendim është përtej imagjinatës e nën çdo nivel (logjik e juridik). Si i padrejtë, ai është i papranueshëm. Për hapat e tjerë politikë do të njoftojmë qytetarët në ditët në vijim”, tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Presidenti, Thaçi ndërkohë tha se vendimi i Kushtetueses ishte i drejte dhe konfirmoi se popullin nuk e përfaqëson një, por të gjitha partitë parlamentare.

“I bëj thirrje të gjitha institucioneve, të gjitha partive politike të zbatojnë të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese. I ftoj liderët institucional dhe partiak të punojnë së bashku që të kemi një tranzicion të rregullt demokratik”, deklaroi Hashim Thaçi, President i Kosovës.

Ndërkohë LDK-ja paralajmëron formim të shpejtë të qeverisë.

“Ekziston mundësia që seanca të mbahet nesër. Ekziston edhe mundësia që të mbahet të hënën në qoftë se gjithçka është në rregull me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, në pikëpamje të hyrjes në fuqi të këtij aktgjykimi”, u shpreh Isa Mustafa, LDK.

Respektimin e vendimit të Kushtetueses e kërkoi edhe SHBA, përmes të dërguarit të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Riçard Grenell. Sipas vendimit të mbrëmshëm të kushtetueses mocioni i mosbesimit ndaj në qeverie në Kuvend nuk rezulton me shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe se në këtë rast nëse partia fituese e zgjedhjeve dështon të mandatojë një kandidat për kryeministër, atëherë kjo e drejtë i kalon një partie tjetër. Qeveria Kurti u rrëzua me mocion mosbesimi më 26 mars, ndërsa Hoti u mandatua një muaj më vonë.