Kosovë, shënohet edhe një viktimë nga koronavirusi

Në orët e mëngjesit të ditës së sotme, në Klinikën Infektive në Prishtinë ka ndërruar jetë një paciente me COVID-19. Me viktimën e fundit , numri i personave që kanë humbur betejën me virusin në Kosovë shkon në 27.

Pacientja e lindur më 1957 nga komuna e Dragashit, përveç infeksionit me Covid-19, ka pasur edhe sëmundje kronike të veshkave dhe sëmundje tjera shoqëruese.

Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, njofton se gjithsej po trajton 12 raste pozitive me Covid-19.

Nëntë raste janë në gjendje stabile, dy raste janë në trajtim me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive.

Në mjekimin intensiv vazhdon të jetë në gjendje të rëndë dhe përkujdesje intensive një pacient i infektuar me Covid -19, i cili ka sëmundje kronike të veshkave dhe është në dializë.

Nga klinika sot do të lirohen 5 pacientë të shëruar nga infeksioni me Covid -19, ndërsa 2 raste të cilët kanë rezultuar negativ ne testimet e fundit për Covid 19 vazhdojnë trajtimin në klinikë.

Marrë parasysh të dhënat e fundit, deri më tani në Kosovë janë regjistruar 860 persona të infektuar, 533 të shëruar.