Kosovë, IPSHPK-ja kërkon ndryshim të strategjisë së testimit për koronavirus

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Komiteti për Monitorimin e Sëmundjeve Ngjitëse i Ministrisë së Shëndetësisë, kanë kërkuar të hënën ndryshim të strategjisë së testimit për personat që dyshohet se mund të jenë prekur nga koronavirusi i ri.

Në një rekomandim të siguruar nga Radio Evropa e Lirë, autoritetet shëndetësore janë cituar të kenë thënë se, si pasojë e kapaciteteve të kufizuara laboratorike për testim të çdo kontakti eventual të të infektuarve dhe rritjes së numrit të rasteve të prekura me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi i ri, testimi tani e tutje të bëhet vetëm për:

-pacientët me infeksion akut të traktit respirator ose humbje e shqisës së nuhatjes apo shijes

-ata që kanë histori udhëtimi ose vendbanimi në një vend/zonë, ku ka pasur vatra të rasteve ose përhapje në komunitet gjatë 14 ditëve para fillimit të simptomave,

-personat që kanë kontakt të ngushtë me rast të konfirmuar ose të mundshëm me Covid-19, në 14 ditët e fundit,

– personat që kërkojnë hospitalizim apo

-personat që janë banorë apo anëtar të stafit në një institucion rezidencial për personat e ndjeshëm, në 14 ditët para fillimit të simptomave.

Si arsye për ndryshim të praktikave të testimit, autoritetet kanë përmendur edhe përditësimet e fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Kjo Organizatë është cituar të ketë përmendur vështirësinë e lirimit të pacientëve nga spitalet, duke ndjekur praktikën e kryerjes së dy testeve brenda 24 orëve, me kushtin që të dyja dalin negative.

Një praktikë e tillë është thënë se nuk po zbatohet në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Pacientët po lirohen nga ky institucion “sipas kritereve klinike-imazherike”.

Marrë parasysh të dhënat e fundit, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë më 13 mars dhe deri më tani, janë regjistruar 2,169 raste me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Prej tyre, 1,047, persona janë shëruar, derisa 37 pacientë kanë vdekur./REL/