Një rast i një 14-vjeçareje nga Peja është bërë shumë i bujshëm dhe mediatik këto kohë, e cila është martuar me një djalë 23-vjeçar nga Rogova e Gjakovës.
Mirëpo, e mitura ka kërkuar divorcin nga burri i saj vetëm në pak muaj martesë, dhe duke parë që askush nuk e ka mbështetur, vajza ka tentuar vetërasjen.
Raportohet se ajo ka prerë venat e dorës dhe pas kësaj ngjarje, 4 persona janë arrestuar.
Ata akuzohen lidhur me rastin e martesës në moshë të hershme të së miturës nga Peja.
Gazeta Express shkruan se vajza shte martuar me një djalë nëntë vjet më të vjetër, por ende pa i mbushur një muaj martesë, 14-vjeçarja kishte kërkuar të ndahet nga ai.
Kërkesën e së miturës nga Peja, për t’u ndarë nga bashkëshorti 23-vjeçar, nuk e kishte përkrahur as familja e vet, as ajo e burrit.
Pasi babai i kishte thënë se nëse ndahet nga bashkëshorti, nuk do ta pranojë më në shtëpi, 14-vjeçarja kishte zgjedhur rrugën më të rëndë.
Ajo kishte tentuar të vetëvritet duke i prerë venat e dorës, por ishte dërguar në spital dhe kishte shpëtuar.
Pas trajtimit mjekësor, të miturën e kishte pranuar familja në Pejë, ku edhe po qëndron pas ndarjes nga bashkëshorti.
Ani pse ajo u kthye në familjen e saj dhe u nda nga bashkëshorti, për martesën e saj në moshë të mitur nuk do të mbesin pa u ndëshkuar familjarët e saj dhe të ish-bashkëshortit nga Rogova e Gjakovës.
Drejtori rajonal i policisë në Gjakovë, Lumni Graishta ka treguar për Gazetën Express se tashmë është ngritur aktakuza ndaj të dyshuarve lidhur me këtë rast.
“Për vepër penale ”Bashkësi jashtëmartesore me personin nën 16 vjeç” me kallëzim penal, përveç burrit, dyshohen edhe prindërit e viktimës që kanë lejuar/pajtuar martesën e saj”, ka theksuar ai.
Graishta ka theksuar se aktakuza është ngritur ndaj katër personave. Përveç ish-burrit dhe prindërve të 14-vjeçares, policia ka ngritur aktakuzë edhe ndaj ish-vjehrrit të saj.
“PK ka ngritur kallëzim penal kundër të dyshuarve: B.G. 1996 Rogovë për vepër penale ”Bashkësi jashtëmartesore me personin nën 16 vjeç”, E.G. 1975 Rogovë për vepër penale ”Dhunë në familje”, S.B. Pejë 1983 për veprat penale ”Bashkësi jashtëmartesore me personin nën 16 vjeç” dhe ”dhunë në familje”, H.C.1984 lindur në Berlin-Gjermani, me banim në Pejë, për veprat penale ”Bashkësi jashtëmartesore me personin nën 16 vjeç” dhe ”dhunë në familje””, ka treguar Graishta.
Ish-vjehrri i së miturës, E.G., dyshohet se i kishte bërë presion asaj që të qëndrojë e martuar me djalin e tij.
Për këtë, Policia e Kosovës në raportin 24 orësh të datës 23 nëntor kishte bërë të ditur se ai ishte arrestuar për shkak të një mosmarrëveshje, e cila më pas kishte rezultuar me tentimvrasjen e së miturës.
Policia raporton:
Gjakovë 22.11.2019 – 20:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull K-Ashkali, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje i kishte bërë presion bashkëshortes së djalit të tij viktimës femër K-Ashkalike (e mitur), e cila më pas kishte tentuar të vetëvritet duke i prerë venat e duarve. Viktima është dërguar për tretman mjekësor.
Po ashtu, policia kishte bërë të ditur se i dyshuari, në këtë rast vjehrri i të miturës, pas intervistimit ishte liruar në procedurë të rregullt, me vendim të prokurorit.
Rasti në polici ishte iniciuar si vepër penale “Për bashkëjetesë me person nën moshën 16-vjeçare”, “Tentim vetëvrasje” dhe “Dhunë në familje”.
Ndërkaq për personat e moshës madhore që martohen me të mitur ka edhe ndëshkime penale të cilat përcaktohen në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Ky Kod Penal specifikon se personi i moshës madhore i cili lidh martesë me një të mitur të moshës 14-16 vjeçare mund të dënohet prej pesë deri në njëzet vjet.
Kosovë-Shqipëri Kosovë: E martuan vajzën në moshë 14 vjeçare, desh e bëri vetëvrasje