Tema e shkëmbimit të territorit me Serbinë është bërë sërish aktuale.




Kjo, pasi lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se kryetari i LDK-së, Isa Mustafa duhet ta disiplinojë Lutfi Hazirin lidhur me idenë për korrigjim të kufijve.
E pas kësaj, nënkryetari i LDK-së, njëherësh kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka mbrojtur idenë e tij, derisa ka thënë se kjo do të ishte zgjidhja për Kosovën dhe Serbinë.
Image
Muhamet Kelmendi
Foto galeri
Lidhur me këtë, profesori Muhamet Kelmendi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se shkëmbimi i territoreve do të pranohej nëse jepet vetëm Leposaviçi me rrethinë, në këmbim të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, por jo që Kosova të mos i marrë këto vende, pasi është vepër armiqësore.
“Përcaktimi i kufijve në bazë të përkatësisë nacionale është një çështje shumë e vështirë. Askund nuk kemi kufij nacional në Evropë. Por, nëse kemi mundësi që Mitrovica, Ujmani dhe Trepça të mbesin në Kosovë, duke dhënë pjesë veriore, si Leposaviçin me rrethinë, për Preshevën, Bujanovcin dhe Medvegjën, është një ndërrim shumë i drejtë dhe i pranuar edhe nga kombi shqiptar. Nuk mendoj se kjo kundërshtohet. Jo. Por, duke humbur ato vende strategjike, sikundër duke krijuar Asociacionin, e ku Kosovës nuk i shkojnë as Medvegja, as Bujanovci, vetëm Presheva, kjo nuk bën dhe është vepër armiqësore”, është shprehur ai.
Profesori thotë se Haziri duhet të deklarohet se çka kupton ai me ndërrim të territorit dhe çka ndërtohet me cilat vende, pasi vetëm deklarata pa dhënë konkretizime është shumë e dëmshme dhe Kosova nuk mund të mendohet pa Mitrovicë, Trepçë dhe Ujman.
“Është e rrugës që Lutfi Haziri të deklarohet se çka kupton ai me ndërrim të territorit dhe çka ndërtohet me cilat vende. Vetëm deklarimi për pa dhënë konkretizime është tepër e dëmshme për të ardhmen dhe të tashmen e shtetit tonë. Nuk mundet kurrë Kosova të paramendohet pa Mitrovicë, Trepçë dhe Ujman. Nuk ka kurrfarë mundësie të ndërtohet një shtet serb me Asociacion në Kosovë. Lugina e Preshevës duhet të kuptohet si tërësi dhe si e tillë ishte pjesë e Kosovës deri në vitin 1956. Ai kufij duhet të kthehet midis Kosovës dhe Serbisë. Në këtë kohë në Kosovë bënin pjesë Presheva, Medvegja dhe Bujanovci, si tërësi komunale. Në Kosovë ishte edhe Trepça, edhe Mitrovica dhe tërë Ujmani me rrethinë. Këta kufij duhet të luftohen Kosova për te fituar. Kjo është zgjidhja”, ka deklaruar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.