Kosova shpreson të furnizohet me vaksina kundër Co vid në fillim të vitit 2021

Në fillim të kësaj jave Kosova ka aplikuar në Aleancën Botërore GAVI-COVAX për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19, por në ministrinë e Shëndetësisë ende nuk e dinë se kur do të arrijnë vaksinat e para për të nisur vaksinimi i popullatës. Por thonë se përpjekje po bëjnë që në muajt e parë të vitit 2021 këto vaksina të arrijnë në Kosovë. E nga Shoqata e Pacientëve të Kosovës kërkojnë që sa më shpejt të vijnë vaksinat anti-COVID në Kosovë.

Zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti për KosovaPress, thotë se tashmë është e sigurt se gjatë këtij viti nuk do nis vaksinimi kundër kësaj pandemie.

Sa i përket kohës se kur vaksina do jetë jenë të qasshme për popullatën dhe kur do të fillojë procesi i vaksinimit kundër COVID-19, Hoti deklaroi se kjo varet nga Aleanca Botërore e Vaksinimit.

“Në bazë të informacioneve të deritanishme Kosova do të përfitojë 20 për qind të vaksinave falas si donacion nga kjo aleancë ndërsa, pjesën tjetër sipas nevojave që do i përcaktoj Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe ekipi i ekspertëve që merren me çështjen e vaksinimit Kosova do ta blej nga fondet e veta eventualisht me ndonjë kontribut të donatorëve apo partnerëve të ndryshëm. Sa i përket kohës se kur vaksina do jetë jenë të qasshme për popullatën dhe kur do filloj procesi i vaksinimit kundër COVID-19 varet nga kjo aleancë dhe nga shpejtësia me të cilën ajo do i siguroj këta vaksina të cilat do i ndaj dhe për shtetet tjera…..Përpjekjet janë që në muajit e parë të vitit 2021 të sigurohen këto vaksina dhe të filloj procesi i vaksinimit, por kjo është çështje që është në zhvillim e sipër për shkak se siç e dini se vetëm një vaksinë është miratuar për përdorim dhe ne nuk mund ta përcaktojmë dinamikën se sa shpejt se sa shpejt do ketë vaksina tjera”, tha ai.

Kosova pritet të përfitojë rreth 360 mijë vaksina falas, ndërsa pjesën tjetër synon ta blejë.

Sipas zëdhënësit të MSH-së me këtë sasi pritet të vaksinohen së pari grupet e popullatës që janë më të rrezikuara nga COVID-19, siç janë punonjësit e shëndetësisë, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

Ai ka theksuar se Kosova para aplikimit zyrtar për vaksinën anti-COVID ka aplikuar edhe për asistencë teknike në Aleancën Botërore të Vaksinimit për të pasur qasje dhe siguri edhe për transportin e këtyre vaksinave.

Ndër të tjerash zëdhënësi i MSH-së deklaron se Kosova ka staf mjekësor të mjaftueshëm për shpërndarjen e vaksinës, por që thekson se nevojitet trajtimi i profesionistëve shëndetësor.

“Kosovës i mbetet që të punojë edhe me partnerët natyrisht dhe në të njëjtën kohë të punojë edhe me profesionistët shëndetësorë me mjekët dhe infermierët dhe teknik që sa më shumë personel mjekësor të trajnohen dhe në momentin që vaksina janë të disponueshme për përdorin të shpërndahen ato në mënyrë racionale dhe vaksinimi të kryhet sa më shpejt…Nga ajo që kemi parë të vaksinimit nga shtetet e tjera si në Britani të Madhe shihet se procedura e vaksinimit është e thjeshtë me marrjen edhe të vaksinave tjera në këtë aspekt ka shumë profesionistë shëndetësorë të cilët kanë përvojën e duhur sepse ata çdo ditë bëjnë vaksinimin e grupeve të rrezikuar kundër gripit sezonal sepse vite më parë ka pasur edhe para disa viteve vaksinim kundër gripit të derrit, thjesht kjo do jetë një çështje e administrimit, por për të cilin natyrisht gjithmonë duhen përvetësuar njohur dhe teknika të reja”, tha ai.

Përfaqësuesi i Shoqatave të Pacientëve të Kosovës, Besim Kodra derisa e quan lajm të mirë aplikimin e Kosovës për vaksinën anti-COVID, kërkon që sa më parë në Kosovë të vijnë këto lloj vaksinash sidomos për grupet që janë të rrezikuara. Sipas tij, institucionet e Kosovës duhet të bëjnë përpjekje maksimale për të siguruar këtë lloj vaksine edhe për qytetarët tjerë. Por kërkon që edhe stafi mjekësor të marr udhëzimet e nevojshme.

“Është shumë e rëndësishme që të kemi vaksinën sidomos për këto grupet e rrezikuara pastaj për të tjerët qytetar…Përpjekjet duhet të jenë maksimale madje unë konsideroj që një vaksinë e tillë nuk ka çmim, nuk duhet të shohim asnjë çmim që një vaksinë e tillë në Kosovë sepse po na rrezikohen njerëzit Kosova është shumë e vogël me i vdekur 22 persona në ditë…360 mijë janë shumë pak aq më tepër kur Kosova nuk ka një evidencë se sa ka pacientë me sëmundje kronike ndoshta e di se sa ka të moshuar por jo edhe me sëmundje kronike. Pra nuk është duke e ditur se këto vaksinë a janë të mjaftueshme është shumë e rëndësishme që edhe vaksinat tjera të sillen sa më shpejt ashtu siç thuhet ta arrijmë imunitetit artificial të masës“, theksoi Kodra.

Kurse, anëtari i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Fitim Uka nuk beson që vaksina kundër COVID-19 do të arrijë në Kosovë në fillim të vitit 2021 ashtu siç po besojnë në Ministrinë e Shëndetësisë. Sipas tij, edhe nëse tani nis vaksinimi është vonë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje deklaron se shteti i Kosovës ende nuk ka siguruar një kontratë për blerjen e vaksinave për qytetarët tjerë.

“Duke marr parasysh faktin që në Mbretërinë e Bashkuar por dhe në vendet tjera ka filluar vaksinimi edhe sikur të ndodh nesër është goxha vonë. Por me këtë trend të lëvizjes së kësaj qeverie pres vonesa dhe fatkeqësisht është dëshmuar edhe për faktin se deri më tash nuk kanë pasur nënshkrim të një kontrate për blerjen e këtyre vaksinave antiCOVID. Ka thjesht një premtim për të përfituar prej atyre që jepen si donacione të vaksinave dhe që jepen si dozë simbolike dhe që nuk mbulon as për së afërmi nevojat e qytetarëve të Kosovës….Mbetem pesimist që do mund të sigurojnë vaksinën edhe në atë kohë që është përmendur, pra edhe në fund të marsit”, tha ai.