Raporti më i ri ndërkombëtar Gallup Global Safety Report 2025, i publikuar në fillim të shtatorit, ka sjellë një lajm të jashtëzakonshëm për Kosovën: vendi ynë është renditur i treti më i sigurt në botë dhe i pari në Evropë për ndjenjën e sigurisë së qytetarëve dhe besimin ndaj institucioneve të rendit e ligjit.
Sipas raportit, Kosova ka arritur 94 pikë nga 100 në Indeksin e Ligjit dhe Rendit, duke u pozicionuar menjëherë pas Taxhikistanit (97 pikë) dhe Singaporit (95 pikë). Ky rezultat e lë pas shtete të fuqishme e të zhvilluara si Islanda, Norvegjia, Austria e Zvicra – një arritje historike që e vendos Kosovën në hartën e vendeve më të sigurta të planetit.
Një tjetër tregues domethënës është fakti se 89% e qytetarëve të Kosovës deklarojnë se ndihen të sigurt edhe duke ecur vetëm natën në lagjen e tyre, duke e futur vendin ndër shtetet me perceptimin më të lartë të sigurisë në botë.
Policia e Kosovës e ka cilësuar këtë vlerësim si një dëshmi të qartë të përkushtimit të saj në mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve, forcimin e partneritetit me komunitetin dhe rritjen e besimit publik. “Ky sukses është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, të cilët së bashku kanë ndërtuar një sistem të fortë për garantimin e rendit dhe sigurisë në vend”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Ky raport është një konfirmim ndërkombëtar se Kosova jo vetëm që po përparon, por tashmë është bërë një model i sigurisë në rajon dhe më gjerë.