“Korona”, rritet numri i të vdekurve në Kinë

Autoritetet kineze kanë njoftuar se shifra e përgjithshme e viktimave nga koronavirusi ka shkuar në 427. Mijëra qytetarë të huaj janë evakuuar nga epiqendra e virusit, qyteti Wuhan, ndërsa mijëra njerëz u bllokuan në një anije japoneze për shkak se u zbulua që një pasagjer është i infektuar me koronavirus. Gjatë 24 orëve të fundit, në Kinë nga koronavirusi vdiqën 64 persona, që paraqet shifrën më të lartë deri më tani për një periudhë të tillë kohore. Rritje të konsiderueshme shënoi edhe numri i personave të infektuar. Për një ditë u infektuan 3235 persona, duke e çuar në 20 mijë e 438 numrin e përgjithshëm të të infektuarve. Prej tyre, së paku 151 raste të infektimit u shënuan jashtë Kinës, ndërsa viktima e dytë jashtë Kinës pas Filipineve u shënua në Hong Kong. Autoritet besojnë se virusi është shfaqur në një treg në Vuhan të Kinës. Virusi transmetohet nga njeriu në njeri përmes grimcave që lëshohet nga kollitja dhe teshtima dhe periudha e inkubacionit të virusit, besohet se zgjatë nga një deri në 14 ditë.