
Koreja e Veriut kumtoi se po bashkohet në garën për zhvillim të vaksinës kundër Kovid-19, një konkurs global që ka bashkuar mendjet më të mëdha mjekësore në botë dhe i cili kushton miliarda dollarë.
Sipas Komisionit Shtetëror të Koresë së Veriut për Shkencë dhe Teknologji, hulumtimet klinike për vaksinën tashmë janë duke u zhvilluar dhe tani është duke u debatuar se si të vazhdohet me fazën e tretë, e cila përfshin testimin e njerëzve, shkruan Si-En-En.
Shtrohet pyetja se pse Koreja e Veriut, e cila ka një nga sistemet më të dobëta shëndetësore në planet dhe e cila me dekada është mbështetur në ndihmën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për vaksinat dhe imunizimin, po harxhon kohë, para dhe burime për zhvillim të vaksinës kundër koronavirusit.
Kësaj duhet shtuar se Pheniani nuk e ka pranuar publikisht se ekziston një rast pozitiv i Kovid-19 në vend.
Përgjigjja nuk është e thjeshtë, por ndoshta është një kombinim i frikës nga virusi dhe një përpjekje për t’i bindur qytetarët e Koresë së Veriut që lideri Kim Xhong Un do të përballet përsëri me sfidë dhe do ta mbrojë popullin.
Koreja e Veriut është një nga vendet e para që e mori seriozisht kërcënimin nga Kovid-19, ndërsa për këtë ka një arsye të mirë, shumë ekspertë besojnë se sistemi i kujdesit shëndetësor të vendit nuk do t’i rezistojë sulmit të pandemisë.
Shumë institucione mjekësore në Korenë e Veriut nuk kanë furnizim të besueshëm me energji elektrike ose ujë të pijshëm.
Pajisjet mjekësore shpesh mungojnë, ndërsa duket se edhe testet e koronavirusit paraqesin problem.
Që nga fillimi i korrikut, vetëm 922 njerëz në vend me rreth 25 milion njerëz janë testuar për virusin, deklaroi përfaqësuesi i OBSH-së në Korenë e Veriut, Dr. Edvin Salvador.
Ai theksoi se që nga fillimi i pandemisë, 25.551 persona janë vendosur në karantinë, ndërsa më pas janë lëshuar.
Shumë ekspertë të pavarur të shëndetit publik kanë vënë në dyshim pretendimet e Koresë së Veriut se nuk ka raste pozitive të Kovid-19.
Sidoqoftë, Koreja e Veriut e ka aftësinë ta parandalojë përhapjen e grupimeve, sepse mund të zbatojë masa që vendet e tjera do të ishin më të ngadalta për t’i pranuar. Gjithashtu, në vend vijnë një numër i vogël i turistëve, diplomatëve dhe punonjësve të ndihmës.
Sipas shumicës së raporteve, pandemia në Korenë e Veriut është nën kontroll, ndërsa Kim Xhong Un më parë këtë muaj deklaroi se përpjekjet e vendit të tij janë një “sukses i madh”.
Megjithatë, Kim Xhong Un i paralajmëroi autoritetet e Koresë së Veriut se kriza botërore e shëndetësisë nuk ka mbaruar akoma. MIA