Koordinatori shtetëror i Kosovës në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Skender Hyseni ka thënë për Zërin e Amerikës se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kenë përkushtim të paluhatur për dialogun që zhvillohet mes këtyre dy shteteve në Bruksel nga viti 2011. Ai i ka bërë këto këto komente, pas takimit të zhvilluar me të dërguarin e Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer në Uashington. “Ka një përkushtim të paluhatur në përkrahje të dialogut të filluar në Bruksel dhe një përkrahje të fuqishme për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme, sa i përket normalizimit të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Hyseni. Sipas tij, dialogu mes të dyja shteteve duhet të finalizohet me njohje reciproke. “Ne po punojmë ngushtë me SHBA që procesi i normalizimit të ecë shpejt deri në njohje të plotë reciproke, si dy shtete të pavarura dhe sovrane”, tha ai. Madje Hyseni ka përmendur edhe mundësinë e përfshirjes së SHBA-së në dialog. “Do të shohim hapa konkretë të kyçjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog, krahas Bashkimit Evropian”. Sa u përket dilemave rreth zhvillimit të dialogut në nivel teknik, koordinatori shtetëror i Kosovës ka thënë se “nuk ka asgjë teknike deri në përmbyllje të njohjes reciproke. “Çdo gjë është skajshëm politike. Çdo gjë bart një dimension politik akut dhe ai dimension politik, akut duhet të adresohet dhe të zgjidhet ekskluzivisht në një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që nënkupton njohje të ndërsjellë mes këtyre vendeve”, ka deklaruar ai. Hyseni është nisur më 1 gusht në Uashington, pas bisedimeve të zhvilluara në nivel ekspertësh me palën serbe në Bruksel. Serbia në këtë proces është përfaqësuar nga drejtori i Zyrës për Kosovës në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. Temë e diskutimit është thënë të kenë qenë të zhvendosurit dhe bashkëpunimi rajonal. Kujtojmë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka rinisur më 16 korrik të këtij viti. Ky proces ishte pezulluar nga nëntori i vitit 2018, meqë autoritetet e Kosovës patën vënë taksë në importet e Serbisë. Kjo masë ka qenë e papranueshme për autorotetet serbe, derisa heqjen e saj më vonë e ka mirëpritur edhe faktori ndërkombëtar, me qëllim të rikthimit të dialogut.

Prej muajit mars të këtij viti kur edhe filloi pandemia Covid-19, besohet se në Kosovë kanë humbur punën rreth 40 mijë persona, dhe se nëse vazhdon ky trend numri i atyre që do të humbin punën për shkak të pandemisë do të rritet deri në 60 mijë.

Kështu deklaroi kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, i cili tha se shifra prej 40 mijë të papunëve është shënuar deri në fund të muajit qershor, ndërsa deri në fund të shtatorit ajo mund të rritet edhe për 20 mijë të tjera. Azemi deklaroi se në shumë raste janë edhe vet punëtorët që detyrohen të lënë punën për shkak se paga nuk ua mbulon shpenzimet.

“Deri në fund të muajit qershor, i kemi rreth 40 mijë punëtorë të cilët e kanë humbur vendin e punës, dhe nëse vazhdon ky trend kështu, në fakt mendojmë që fundi i shtatorit do të jetë mbi 60 mijë punëtorë të cilët e kanë humbur vendin e punës. Njëfarë forme punëtorët obligohen që edhe vetvetiu ta lëshojnë vendin e tyre të punës sepse pagat janë tepër të ulëta dhe pronarët e kompanive gjejnë një shprehje se gjëja nuk kanë punë, dhe punëtorët nuk e kanë llogarinë nëse edhe shpenzimet minimale të tyre nuk mbulohen që të shkojnë në vend të punës”, tha ai.

Ai ka thënë se rol të madh në numrin e të papunëve po luan edhe kushtet këqija të punës në të cilat punohet. Azemi deklaroi se të drejtat e punëtorëve të sektorit privat në Kosovë, janë të drejtat më të shkelura në rajon, sidomos tani në këtë kohë pandemie.

“Ne kemi tërhequr vërejtjen që edhe pa kohë pandemie, të drejtat e punëtorëve në sektorin privat në Kosovë, mund të themi se janë të drejtat më te shkelura në rajon dhe sidomos tani në këtë kohë pandemie, njëfarë forme ndoshta edhe është lanë fare anash kjo çështje e të drejtave të punëtorëve sepse është një gjendje tepër e rëndë, dhe një gjendje e cila ndoshta organet kompetente që janë e kanë lënë në renditjen e pesë ose gjashtë, kështu që shumë pak po merren me atë. Edhe pse në këtë kohë kemi numrin maksimal i shkeljeve te të drejtave të punëtorëve, duke u nisur nga orari i punës, pagesa e punës, mungesa e pushimit vjetorë, mungesa e pushimeve mjekësore, dhe të gjitha”, tha Azemi.

Azemi shtoi se nuk ka pasur asnjëherë gjendje kaq të rëndë të punëtorëve të sektorit privat të Kosovës.