Kryeministri italian Xhuzepe Konte vlerësoi se Bashkimi Evropian rrezikon të mos ketë sukses si projekt në këtë krizë për shkak të virusit korona.
Ai në një intervistë për Bi-Bi-Si tha se BE-ja duhet të veprojë në mënyrë adekuate dhe të koordinuar që t’iu ndihmojë vendeve të cilat janë më rëndë të goditura.
Sipas tij, BE-ja duhet të përballet me sfidën, të cilën e karakterizon si “testin më të madh pas Luftës së Dytë Botërore”.
Italia dhe vendet tjera të BE-së po tentojnë ta bindin Unionin që të japë të ashtuquajtura “obligacione korona”, gjegjësisht të gjitha vendet të pranojnë shpërndarjen e pagesës së borxhit.
“Nëse nuk e shfrytëzojmë mundësinë që të sjellim jetë të re në projektin evropian, rreziku nga kolapsi është real”, tha ai. Italia është vendi më rëndë i goditur nga virusi.
Italisë i ishte dërguar ndihmë mjekësore nga Kina, Kuba dhe Rusia, ndërsa në pyetjen se a është kushtëzuar ndihma ruse nga Italia, ndoshta me mbështetjen e Romës për heqjen e sanksioneve për Moskën, Konte u përgjigj se këto supozime janë shumë ofenduese për të.
“Ky është ofendim për Qeverinë italiane dhe gjithashtu për Vladimir Putinin i cili asnjëherë nuk ka menduar që ta shfrytëzojë këtë si përparësi”, tha Konte.