Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar pas vendimit të gjykatës në Beograd që Nezir Mehmetaj të qëndroj në paraburgim prej 30 ditësh.
Konjufca e ka dënuar këtë vendim të autoriteteve serbe dhe ka kërkuar që menjëherë të lirohet Mehmetaj.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Konjufca ka thënë se tashmë Serbia po e vërteton që nuk ka ndërruar aspak mentalitet sa i përket Kosovës.
Reagimi i plotë i Konjufcës pa ndërhyrje:
Me shqetësim morëm lajmin për arrestimin e qytetarit të Kosovës, Nezir Mehmetaj, i cili po kthehej nga Serbia ku kishte qenë në spital për nevojat shëndetësore të nënës së tij.
Dje pati disa reagime nga institucione e subjekte politike të Kosovës, dhe nga shumë qytetarë, që kërkuan lirimin e z. Mehmetaj.
Por në vend të lirimit, sot morëm vesh se gjykatat e Serbisë kanë vendosur ta mbajnë edhe 30 ditë.
Kjo është padrejtësi. Serbia po arreston në mënyrë arbitrare, cilin t’i teket, nga qytetarët e Kosovës të cilët kalojnë nëpër atë vend nga halli, jo nga qejfi.
Me këto gjeste Serbia po na tregon se nuk ka ndryshuar ende mentalitetin politik sa i përket Kosovës e shqiptarëve, të cilët i trajton dhunshëm e me arbitraritet, sikur të jenë njerëz të dorës së dytë.
Sjellje të tilla që targetojnë një etni e një vend fqinj nuk premtojnë aspak mirë për të ardhmen.
I bëjmë thirrje Serbisë ta lejojë z. Nezir Mehmetaj të kthehet pranë vatrës e familjes së tij, dhe ta ndryshojë qasjen që ka ndaj Kosovës e qytetarëve të saj.
Jemi në shek. XXI e këto sjellje duhet t’i ndalni megjithatë, edhe pse s’kanë kaluar ende as dy dekada prej masakrave gjenocidale që bëtë kundër nesh! .