Konfirmohet edhe një vdekje nga koronavirusi në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka njoftuar se të hënën është shënuar edhe një vdekje nga koronavirusi.

Viktima është një grua nga Istogu e cila ka pasur edhe sëmundje bashkëshoqëruese.

“Në mjekimin intensiv të Klinikës Infektive ka përfunduar me vdekje pacientja S.K. (1981) nga Komuna e Istogut, e transferuar në këtë klinikë me datë 12 prill, nga Klinika e Kirurgjisë Abdominale pas ndërhyrjes kirurgjikale dhe njëherësh e diagnostikuar me Covid 19”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Kjo është vdekja e tetë e shënuar në Kosovë e pacientëve me Covid-19.

Aktualisht në gjithë territorin e Kosovës me këtë sëmundje janë infektuar 362 persona, ndërsa 59 janë shëruar.

Me qëllim të luftimit të virusit, autoritetet kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.