Kompania saudite e naftës shënon rënie me 25 për qind në fitimin neto

Kompania kombëtare e naftës së Arabisë Saudite “Saudi Aramco” në krahasim me periudhën e njëjtë të një viti më parë shënoi rënie me 25 për qind në fitimin neto për tremujorin e parë të këtij viti për shkak të koronavirusit të ri (COVID-19).

Sipas bilancit financiar të njoftuar nga Saudi Aramco, fitimi neto i kompanisë për periudhën janar-mars u ul me 25 për qind në 16,66 miliardë dollarë, nga 22 miliardë dollarë që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Saudi Aramco, në tremujorin e parë të vitit të kaluar siguroi të ardhura 71,81 miliardë dollarë, ndërsa në të njëjtën periudhë të këtij viti siguroi të ardhura 60,15 miliardë dollarë me një rënie me 16 përqind.

Në deklaratë është përmendur edhe deklarata e drejtuesit të lartë (CEO) të Saudi Aramco, Amin Nasser, i cili është shprehur: “Kriza e COVID-19 është një situatë që bota nuk e ka përjetuar asnjëherë më parë. Po përshtatemi me mjedisin e punës që ndryshon me shpejtësi”.

Për shkak të COVID-19, kërkesa globale për naftë mbetet e dobët, ndërsa çmimet e naftës bruto ruajnë kursin e ulët.

Çmimi mesatar i naftës bruto të llojit Brent i cili përdoret më gjerësisht në botë, në tremujorin e parë të vitit të kaluar ishte 63 dollarë për fuçi, ndërsa në po të njëjtën periudhë të këtij viti është regjistruar në 50 dollarë duke shënuar një rënie me 20.6 për qind.

Saudi Aramco, oferta e parë publike e së cilës u zhvillua në bursën saudite Tadawul më 5 dhjetor 2019, ishte kompania me vlerën më të lartë të tregut në botë dhe më 12 dhjetor kompania theu edhe një rekord tjetër me një vlerë tregu që tejkalonte 2 trilionë dollarë.