Komisioni i Venecias nxiti “luftën” BDI-LSDM

Komisioni i Venecias ka dhënë “dritë të gjelbër” për bankënotat në dy gjuhë, por mendon se Ligji i Gjuhëve për momentin nuk mund të zbatohet në Gjyqësor. Këtë e referoi në një konferencë për shtyp zv/kryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, i cili vlerëson se Ligji nuk duhet të pësojë ndryshime, por të rregullohet me plan-veprime. Nëse bëhen ndryshime pa konsensus, kjo do të thotë kthimi i periudhës para vitit 2001 para Marrëveshjes së Ohrit tha Osmani. Deklarata e Osmanit është krejtësisht e kundërt me qëndrimin e kryeministrit Zaev i cili tha se mendimi i Komisionit është tregues dhe se në pajtim me të do të bëhen ndryshime në pjesën e dygjuhësisë në procedurat gjyqësore.

Komisioni i Venecias nuk është supermarket ku një produkt mund ta blini ndërsa produktin tjetër jo. Kështu që, s’mund të bisedoni për vërejtjen ndaj gjyqësorit dhe të mos bisedoni për bankënotat. Jam i pari që them se asnjë lëndë gjyqësore nuk guxon të bie sepse nuk kemi kapacitet për përkthim në gjyqësor…kushdo qoftë tjetër në këtë shtet të tentojë që çështjes më të ndjeshme t’i qaset vetëm nga një kënd, me plotë kuptimin e fjalës e prish bërthamën ku mbahet baraspesha e raporteve maqedonase- shqiptare në vend- deklaroi Bujar Osmani- zv/ kryeministër për Çështje Evropiane nga BDI.

Pas kryeministrit, edhe ministrja e mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska përsëriti se interpretimi i Ligjit për Gjuhët është me kërkesë të Qeverisë dhe se paraprakisht mendimet e Komisionit të Venecias janë zbatuar në ligje të tjera. Edhe më tej pritet përmbajtja e plotë e mendimit, pas çka, Sheqerinska thotë se pushteti do të ndërtojë qëndrim të përbashkët.

Pamë se si politikan të papërgjegjshëm na sollën afër luftës, duke krijuar frikë që nuk ishte reale. Mendoj që shteti, por edhe qytetarët…shpresoj që edhe disa nga partitë kanë mësuar diçka nga kjo përvojë. Nuk e kemi çuar përpara këtë çështje me forcë as më herët, nuk besojmë në politikë të këtillë as tani. Por, institucionet do të punojnë ndërsa vendimet do të merren kur do të jetë e qartë cili është mendimi, cilët elemente janë kontestues e cilët janë pozitiv- tha Radmilla Sheqerinska- ministre e Mbrojtjes nga LSDM.

Përveç për pengesat në Gjyqësor, Komisioni i Venecias gjithashtu rekomandon që përdorimi i gjuhës shqipe brenda dhe në komunikimin ndër- institucional të kufizohet vetëm me komunikime zyrtare me shkrim apo të anulohet derisa ta bëhet real zbatimi përkatës i kësaj dispozite.

Alsat