Linjat ajrore evropiane dhe kompanitë turistike duhet të ofrojnë vauçerë për udhëtarët e fluturimeve dhe udhëtimeve turistike që janë anuluar për shkak të koronavirusit, ndërsa të cilët do të ishin të vlefshëm për të paktën 12 muaj, rekomandon Komisioni Evropian, në mënyrë që t’i inkurajojë udhëtimet dhe turizmin në Evropë.
Rekomandimet, të cilat duhet të publikohen nesër, parashikojnë udhëtarëve t’u japin vauçerë të pranueshëm, në mënyrë që të mos kërkojnë pagesë të plotë, transmetojnë mediat britanike.
Vendet anëtare të BE-së kanë kërkuar nga komisioni ta pezullojë rregullin sipas të cilit linjat ajrore duhet t’i kompensojnë plotësisht shpenzimet e fluturimeve të anuluara për shkak të pandemisë. Rekomandimet e reja nuk parashikojnë ndërprerjen e këtij rregulli, por ofrojnë kompromis për ta ndihmuar sektorin në këtë krizë të vështirë.
Komisioni, gjithashtu, do t’ju rekomandojë vendeve anëtare t’i garantojnë këto vauçerë në rast të paaftësisë pagesore të kompanisë, thuhet në dokument.
Vauçerët duhet t’i ofrojnë të njëjtat shërbime dhe drejtime, në rast të fluturimit, dhe kushte të udhëtimit, si dhe rezervimin origjinal.
Linjat ajrore nga e gjithë Evropa, përfshirë “Lufthansa” dhe “Er Frans-KLM, kërkuan ndihmë shtetërore sepse për shkak të pandemisë duhej t’i ulin flotat e tyre të mëdha.
Konsumatorët që nuk do të përdorin vauçerë automatikisht do të marrin kthim të mjeteve në afat prej 14 ditëve nga skadimi i tyre.
Në rastin e vauçerëve që janë të vlefshëm për më shumë se një vit, udhëtarët duhet të kërkojnë një pagesë të plotë brenda 12 muajve nga data e lëshimit të vauçerit , thuhet në dokument.
Për t’i ndihmuar linjat ajrore dhe kompanitë e udhëtimit më të prekura, BE gjithashtu ju bën thirrje organizatave të konsumatorëve dhe pasagjerëve në të gjitha nivelet t’i inkurajojnë pasagjerët t’i pranojnë vauçerët, në vend që të kërkojnë kthimin e parave.
Komisioni me këtë nuk e pezullon ligjin për mbrojtjen e të drejtave të udhëtarëve sepse rekomandimet nuk janë juridikisht të detyrueshme. Kjo do të thotë që konsumatorët janë ata që do të vendosin nëse do të pranojnë vauçer ose të kërkojnë kthimin e plotë të pagesës./MIA