Kombet e Bashkuara shpallin armëpushim 90 ditor në mbarë botën

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (OKB) ka miratuar një rezolutë që kërkon armëpushim global humanitar 90-ditor në kuadër të luftës kundër pandemisë së koronavirusit.

Pas thirrjes për armëpushim global nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres më 23 mars dhe negociatave që zgjatën tre muaj, projekt-rezoluta e përgatitur nga Franca dhe anëtari i përkohshëm i këshillit, Tunizia, u vendos për votim.

Meqenëse votimi nuk u mbajt në Këshillin e Sigurimit për shkak të pandemisë, vendeve anëtare iu dhanë 24 orë për të raportuar vendimet e tyre, dhe rezoluta u miratua unanimisht nga këshilli me 15 anëtarë.

Në rezolutë, në të cilën janë shprehur shqetësime të thella për pasojat shkatërruese të pandemisë, veçanërisht në zonat e konfliktit dhe luftës, Këshilli i Sigurimit kërkoi menjëherë një armëpushim global humanitar 90-ditor për të siguruar që ndihmat humanitare të dorëzohen në mënyrë të sigurt, të vazhdueshme dhe pa pengesa.

Armëpushimi nuk do të përfshijë DAESH-in, Al-Kaeda-n, Al-Nusra-n dhe individët dhe grupet e lidhura me këto organizata terroriste, siç përcaktohen nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Në rezulotë nuk gjendet asnjë referencë e drejtpërdrejt ndaj Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), e cila u bë shkaktare e mosmarrëveshje midis SHBA-së dhe Kinës dhe bllokoi Këshillin e Sigurimit, por përmendet kontributi i punonjësve shëndetësorë dhe humanitarë, kombëtarë dhe ndërkombëtarë, në luftën kundër epidemisë.

Ndryshe, administrata Trump më 14 prill ndërpreu fondet për OBSH-në, të cilën e akuzoi për “favorizim të Kinës” dhe “dështim në luftën kundër pandemisë”, kurse më gjashtë javë më pas deklaroi se SHBA largohet dhe ndërpret lidhjet me këtë organizatë.