Kokainë nga Shqipëria në Itali e Argjentinë, prangosen 6 persona

Është finalizuar me sukses një operacion ndërkombëtar dhe kanë rënë në pranga 6 persona të shpallur në kërkim.

Operacioni u zhvillua në të njëjtën kohë në Shqipëri, Itali, Argjentinë e Costa Rica. Policia shqiptare njofton se u kap dhe u arrestua me qëllim ekstradimi, shtetasi Bujar Sejdinaj, i quajtur “Xhaxhai”, përfaqësuesi i Ndrangheta-s në Shqipëri dhe në zonën e Ballkanit dhe në veçanti përfaqësuesi i familjes mafioze “Bellocco”. Shtetasi Bujar Sejdinaj ka marrë pjesë në blerjen e rreth 20 kg kokainë në Spanjë. Po në kuadër të operacionit është bërë dhe arrestimi në Elbasan, më 26 maj 2020, i shtetasit Adrian Cekini, i cili ka qenë i shpallur në kërkim.

Në të njëjtën kohë në Argjentinë u bë arrestimi i shtetasve, Ferdinando Sarago, korrier dhe njeri i besuar i Ndrangheta-s, shtetasi Giovanni di Pietro, lindur në Romë, me emrin M. P., ishte personi që bënte lidhjet midis furnizuesve të drogës të Amerikës së Jugut dhe familjeve mafioze italiane, shtetasi Fabio Pompetti, lindur në Argjentinë, bashkëpunëtor i ngushtë i F. M., i cili u arrestua edhe në operacionin e kryer në nëntor 2019.

Me bashkëpunimin e Interpol San Hoze në Costa Rica u arrestua në qytetin Jaco, shtetasi Franco D’Agapiti, lindur në Velletri/Itali, bashkëpronar i një hoteli Casino në Costa Rica. Ky shtetas ishte vendosur në Costa Rica dhe ishte bërë pikë referimi për organizatat kriminale.