Koha kur Kurti e quante Mustafën “super-kriminel” e lakmitar në pleqëri

Ishte viti 2015, Kurti po e kundërshtonte ashpër Qeverinë Mustafa 2. Fjala ishte për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe apo Zajednicës.

Në një video Kurti dëgjohej duke iu referuar Mustafës me një gjuhë ofenduese e tejet të rëndë. Kurti e quan Mustafës “super-kriminel”  e njeri që e ka kapur lakmia në pleqëri.

“Ky njeri është kriminel, ky njeri e ka shkel Kushtetutën, ky është super kriminel – ai që e shkel Kushtetutën është super kriminel nuk ka kriminel sot më të madh nëpër burgje se Mustafa, që e ka shkel Kushtetutën e po tërhiqet. E ka kap njëfarë lakime e jashtëzakonshme në pleqëri kjo është taksirat i madh”, dëgjohet duke thënë Kurti.

Një përpjekje për ta bindur Mustafën për të arritur koalicion qeverisës, kryetari i Vetëvendosjes e ka bërë edhe gjatë të premtes në mbrëmje.

Albin Kurti, i ka shkuar në shtëpi Isa Mustafës në Prapashticë, të cilën dikur e quante ranç, ku kanë negociuar mundësitë për të dal nga ngërçi politik.

Burime të Gazetës Insajderit brenda procesit kanë treguar se negociatat kanë qenë të vështira dhe nuk është arritur marrëveshje.

Vite më parë Vetëvendosje kishte protestuar tek shtëpia e Mustafës në Prapashticë duke kërkuar që Mustafa mos t’i falë territor Serbisë me anë të nënshkrimit për marrëveshjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe por t’ia falë “rançin” e tij. Mustafa e kishte akuzuar Kurtin se ia ka sulmuar shtëpinë ku i kishte nipat dhe mbesat.

Derisa Kurtit, të mandatuarit për kryeministër, i kanë mbetur vetëm dhe 10 ditë për krijimin e qeverisë.