“Koalicioni VV-LDK do bëhet – Mustafa e ka të pamundur të gjenerojë konsensus brenda partiak”

Kosova në dy vitet e fundit ka përjetuar një eskursion politik.

Qeveria PAN e udhëhequr nga Haradinaj, taksa, dorëheqja, zgjedhjet dhe Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve kanë bërë që skena politike në Kosovë të duket interesante por edhe mjaftë e ndjeshme, shkruan lajmi.net.

Gjatë kësaj kohe, analistë politikë e politologë kanë zbërthyer veprimet dhe ndryshimet politike, kanë parashikuar dhe kanë dhënë mendimet e tyre mbi ngjarjet dhe zhvillimet në vend.

Armend Muja, njohësi i çështjeve politike i cili ishte mjaftë prezent me analizat e tij nëpër studio televizive e sidomos bëri bujë parashikimi i tij i saktë për zgjedhjet e 6 tetorit.

Ai, në një intervistë për lajmi.net ka rikapituluar shkurtimisht qeverisjen 2-vjeçare të Haradinajt me vendin duke numëruar sukseset dhe dështimet e kësaj qeverie.

Sipas tij, qeveria Haradinaj ishte e dizajnuar të dështojë dhe për këtë ka numëruar shkaqet – duke mos lënë anash as sukseset dhe dështimet më të mëdha të kësaj qeverisje.

Çfarë kanë ndryshuar në skenën politike në Kosovë zgjedhjet e 6 tetorit dhe a po riformatohen partitë politike në Kosovë sipas Armend Mujës?

Se cilat janë pritshmëritë për koalicionin LDK – Vetëvendosje dhe cilat janë sfidat me të cilat Kosova do të përballet në vitin 2020 dhe çfarë duhet të bëjë, Muja ka folur në intervistën për lajmi.net të cilën mund ta lexoni më poshtë të plotë:

Lajmi:net Si e komentoni qeverisjen e Haradinajt?

Armend Muja: Qeverisja e Haradinajt ishte shumë e vështirë. Ajo sfidohej nga brenda dhe nga jashtë. Nga brenda kishte sfida të legjitimitetit për disa arsye: ishte koalicion i madh PAN që nuk kishte numra të mjaftueshëm, krijimi i numrave duhej të varej nga AKR dhe Lista Serbe dhe Z.Haradinaj kishte një post me përgjegjësi por me origjinë nga AAK si forcë e katërt politike. Koalicioni ishte ndërtuar mbi praktika që nuk sigurojnë sukses p.sh. duhej të ballafaqohej me Serbinë ndërkohë që varej nga Lista Serbe, duhej të ofronte mirëqeverisje në ndërkohë që ishin krijuar artificialisht ministri dhe pozita për të akomoduar të githë partnerët dhe partnerët e vegjël kishin përgjegjësinë kryesore të ministrive. Pra, ishte krijuar një qeverisje e madhe dhe në start e dizajnuar për të dështuar.

Lajmi.net: Sipas jush, cilat kanë qenë sukseset dhe dështimet e Kosovës gjatë këtyre dy viteve të fundit?

Armend Muja: Janë disa zhvillime që mund të janë pozitive dhe negative: krijimi i Ushtrisë së Kosovës, Ligji për Rroga të Sektorit Publik etj, dhe kishte rritje solide ekonomike (4%). Në kuadër të qeverisë kishte zhvillime që kanë pezmatuar opinion publik përfshirë dështimi në liberalizim të vizave, përfshirja e njerëzve jokompetent në qeverisje, praktikë fisnore në punësime dhe sidomos në pozita të larta, shpikje të pozitave për të akomoduar interesat individuale dhe rreth 90 zv-Ministra. Në politikën e jashtme, pozicioni i Kosovës është sfiduar nga çnjohjet nga Serbia dhe zbehje e përgjithshme e pozicionit të Kosovës. Në arsim, janë dy dështime kyçe – përjashtimi i Kosovës nga ENQA për shkak të ndërhyrjeve politike dhe rezultatet shumë të ulta të arritshmërisë së nxënësve në testin ndërkombëtar PISA. Në rishpërndarje të të ardhurave dhe politika sociale ishte abuzimi me Skemen e Veteranëve për të akomoduar interesa të ngushta provinciale.

Lajmi.net: Zgjedhjet e 6 tetorit kanë prodhuar fitues të ri të zgjedhjeve – në çfarë prizmi e shihni këtë, çfarë ka ndikuar dhe çfarë prisni?

Armend Muja: Kosova është duke përjetur një ndryshim brezash për shkak të demografisë së saj. Janë rreth 500,000 të rinj dhe gra që janë joaktiv në tregun e punës. Kjo armatë e të rinjve që ka mbetur e përjashtuar nga zhvillimet politike, sociale dhe ekonomike. Duke qenë që Kosova ka akomoduar gjeneratën pacifiste të viteve të 90-ta dhe gjeneratën kryengritëse – krahun e luftës, ekzistojnë prurje të mëdha në tregun e punës që kanë hasur në vështirësi për të vjelur benefitet e avancimit politik dhe ekonomik të Kosovës. Duke qenë që Kosova ishte e huaj për ta, kemi një tendencë në rritje për menaxhim të dështimit të sistemit social përmes hapjes së mundësisë për migrim [jo]legal. Ishte pikërisht kjo gjeneratë që solli Lëvizjen Vetëvendosje si fitimtar. Kjo gjeneratë është në kërkim të shterjes së kënetës për të kuptuar së çka ka në fund të saj – praktikat e korrupsionit, pasurimit të elitave politike dhe dështimit të Qeverisë për të qenë legjitime në sytë e tyre.

Lajmi.net: Disa parti politike në Kosovë kanë bërë ndryshime edhe në struktura, siç ishte kandidimi i Vjosa Osmanit nga LDK, reformimi i PDK-së nga Kadri Veseli, Haradinaj ka vendosur të qëndroj vetëm kryetar i AAK-së, a mendoni se po riformatohen subjektet politike në Kosovë?

Armend Muja: Kosova nuk definohet shumë nga ndarjet tradicionale të kompasit politik – majtë apo djathtë. Janë vetëm dy elemente që kategorizojnë partitë politike më dallueshëm – beteja e gjeneratave dhe beteja ndërmjet rrafshit të Kosovës së industrializuar dhe rrafshit të Dukagjinit të varfëruar. Në secilën parti politike, përjashtim VV, ka një beteje politike ndërmjet gjeneratave të reja dhe atyre të vjetra. Kjo betejë është mjaft e përhapur në LDK përmes binomit Mustafa-Osmani dhe në PDK ndërmjet kuadrove të luftës dhe kuadrove të Prishtinës. Rezistenca e strukturave partiake për të akomoduar ndryshimet demografike ka krijuar një dritare mundësie për VV dhe Albin Kurtin. Ky i fundit do të mbizotëroj zhvillimet kryesore politike në dekadën pasuese.

Lajmi.net: Si e shihni një koalicion midis LDK-së dhe VV-së dhe cilat janë pritjet e juaja për këtë koalicion duke vlerësuar edhe zvarritjet në arritjen e marrëveshjes?

Armend Muja: Në kuadër të LDK-së ekzistojnë vështirësi për të pranuar rezultatin e zgjedhjeve. Janë dy rryma në LDK ajo tradicionale dhe reformiste. Të dy rrymat dallojnë shumë mes vete por janë të unisuara në kundërshtim të një roli inferior të LDK-së ndaj VV-së. Rryma tradicionale refuzon VV dhe është me e predispozuar ndaj AAK dhe Nisma. Rryma reformiste është me e predispozuar ndaj VV-së por vetëm nëse LDK do të ishte e para. Pra aktualisht, LDK është ndërmjet premtimit të saj para-elektoral se do të qeverisë vetëm me VV dhe refuzimit për të pranuar një rol inferior ndaj VV-së. VV befasisht ka qenë shumë më entuziaste në ndërtimin e një koalicioni para-elektoral dhe pas elektoral. LDK është më jo-fleksibile të lëshoj nga pozicioni fillestar për shkak të vështirësive për të arritur konsensus ndërmjet shumë palëve me influencë në parti. Ky koalicion do të arrihet mirëpo jo pa ndërhyrjen e një force të jashtme. Z.Mustafa e ka të pamundur të gjeneroj një konsensus brenda partiak në këtë kohë.

Lajmi.net: Si e shihni vitin 2020 dhe cilat do të jenë çështjet kryesore me të cilat do të përballet Kosova?

Armend Muja: Kosova ka nevojë të përqendrohet në ndaljen e ciklit të dështimit të menaxhuar politik (rënies së lirë) që nga viti 2014. Është evidente që ajo duhet të përpiqet të jetësoj identitetin dhe subjektivitetin e saj politik jashtë patronatit të Procesit të Berlinit Vuçiq-Rama. Në politikën e saj të jashtme duhet të dal nga polet e presionit që vijnë nga interesat e Vuçiq dhe Rama për t’u dukur faktorë. Fillet e kthjelljes nga mjegulla që karakterizon Kosovës është thyrja e këtij boshti të keq të influencës. Së dyti, duhet të ri-gjej aleatët dhe sforcoj pozicionin e saj përmes targetimit të vendeve anëtare të BE-së që nuk njohin Kosovën, sforcoj marrëdhëniet me SHBA, Gjermaninë, Britaninë e Madhe dhe Zvicrën. Në politikën e saj të brendshme duhet të përqendrohet në reforma të thella strukturore për të përmirësuar cilësinë e qeverisjes dhe administratës, të reformoj sistemin gjyqësor dhe kufizoj influencat neo-tribale dhe neo-feudale në spektrin e saj politik. Në politikat e saj ekonomike, Kosova duhet të përqendrohet në dekoncentrim të pasurisë që ka rezultuar nga një martesë ndërmjet partive politike dhe disa kompanive të mëdha, për të mundësuar liri ekonomike, konkurrencë të denjë dhe tërheqje të kapitalit të huaj (diasporës). Në kuptim të sektoreve ekonomike, Kosova duhet të përqendrohet në sektor të shërbimeve ( IT dhe inteligjencën artificiale, në prodhim të energjisë, përpunim të ushqimit dhe ofrimit të shërbimeve shëndetësore. Kapitali privat duhet të hyj në telekomunikacion dhe industri nxjerrëse. Sistemi i saj arsimor duhet të reformohet thellësisht për të akomoduar këto kërkesa ekonomike dhe drejtuar studentët drejt studimit të shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës. /Lajmi.net/